Murator
Kodi Shqiptar i Profesionit
7112 - Muratorë dhe të tjerë të ngjashëm
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
41.2 – Construction of residential and non-residential buildings
Fjalë Kyçe
Ndërtim, struktura ndërtimi, konstruksion,
Përshkrim i përgjithshëm
Muratori kryen punime të llojeve të ndryshme (ngritje muresh, ndarje muresh, fasada), duke përdorur produkte lidhëse (çimento, llaç, suva, llak, etj.) me materiale ndërtimi tradicionale (tulla, gurë, etj.) ose kompozime (pllaka gipsi etj.) dhe me materiale inerte (rërë, zhavorr etj.), sipas dokumentacionit teknik përkatës dhe në bazë të një plani pune të paracaktuar. Muratori është në gjendje të zgjedhë dhe të përdorë saktë materialet, veglat, makineritë, pajisjet e nevojshme për procese specifike, për të kryer punime të reja strukturore, restaurime dhe punime dekorative.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Muratori duhet të jetë në gjendje të kryejë përgatitjen e kantierit dhe këtu përfshihen këto veprimtari:
- Të njohë dhe të identifikojë elementet hapësinore dhe teknike të kantierit në të cilin veprohet
- Të identifikojë llojet e gardheve, urave të kalimit, sinjalistikës, dhe mjeteve të tjera që do të përdoren
- Të njohë lëndët e para që do të përdoren duke respektuar rendin dhe llojin e punës që do të kryhet
- Kur është e nevojshme të kryejë shembjen e objekteve dhe strukturave ose pjesë të tyre në mënyrë të sigurt, duke interpretuar dhe ndjekur planet për prishje si dhe duke përdorur struktura mbështetëse të përkohshme
- Të zhvendosë, të sigurojë, ngrejë dhe ruajë materialet dhe pajisjet
- Të organizojë punën duke përgatitur mjetet dhe duke planifikuar vazhdimësinë logjike të veprimtarive
- Të komunikojë dhe koordinojë punën me kolegët, teknikët dhe/ose klientët
Muratori duhet të jetë në gjendje të kryejë punimet e muratorit dhe proceset e tjera të lidhura dhe këtu përfshihen këto veprimntari:
- Të interpretojë projektin teknik për të identifikuar formën, përmasat, matjet e strukturës që do të ndërtohet
- Të krijojë struktura mbështetëse të përkohshme të nevojshme për punën që do të kryhet
- Të përgatitë llaçin dhe betonin duke zgjedhur, përcaktuar sasinë dhe duke përzierë përbërësit në mënyrë që të përftohet përzierja që plotëson karakteristikat fiziko-mekanike të synuara
- Të kryejë punë të mirëmbajtjes, restaurimit dhe konsolidimit të strukturave dhe objekteve ekzistuese, duke përdorur teknika të bazuara në udhëzimet e projektit
- Të ndërtojë lloje të ndryshme muresh (mure mbajtëse, mure ndarëse, mbushëse, mure dekorative), me
materiale të ndryshme (tulla, gurë, blloqe), duke përdorur teknika të përshtatshme ndërtimi
- Të krijojë ndarje në mure (harqe etj) dhe punime të tjera strukturore dhe dekorative në mur
- Të kontrollojë cilësinë e punës së kryer
Muratori duhet të jetë në gjendje të kryejë përpunimin e mureve të brendshme dhe këtu përfshihen këto veprimtari:
- Të ekzaminojë sipërfaqet e ashpra të strukturës duke vënë në dukje ndonjë faktor kritik që ndikon në aplikimin e suvasë dhe llaçit
- Të përcaktojë mënyrën e realizimit të suvatimit
- Të përdorë izolues termik dhe akustik dhe solucione izoluese kundër lagështisë
- Të realizojë lidhjet e rrjetit shpërndarës (hidraulik, elektrik etj.) dhe të kryejë punimet për restaurimin e murit duke përdorur teknika të përshtatshme tradicionale dhe bashkëkohore dhe kur është e nevojshme struktura të përkohshme me qëllim realizimin e punës
- Të zgjedhë dhe të përdorë materialet në lidhje me karakteristikat teknike dhe llojin e punimit që do të kryhet, duke përgatitur
llaç për të bërë suva
- Të bëjë hapjen e shtresave të ndryshme të suvasë në faqet e murit, duke modifikuar sipërfaqet
- Të kontrollojë cilësinë e punës së kryer
Njohuritë e nevojshme
Muratori duhet të ketë njohuri në lidhje me temat e mëposhtme:
Elementet e vizatimit teknik
Elementet e teknologjisë së materialeve të ndërtimit
Llojet e izoluesve dhe veshjeve mbrojtëse
Ligjet për ngritjen dhe funksionimin e kantiereve të ndërtimit
Ligjet e sigurisë në ndërtim
Ligjet për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve në të gjithë sektorët e veprimtarisë private apo publike
Organizimin e kantiereve të ndërtimit
Proceset e punës në ndërtim
Procesin e ndërtimit të një ndërtese
Teknikat e dozimit të konglomeratit (rërë, çimento, aditivë, ...)
Teknikat e planifikimit të veprimtarive
Llojet dhe karakteristikat e materialeve të ndërtimit
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
- Të zbatojë procedurat e mirëmbajtjes periodike të pajisjeve të ndërtimit dhe mjeteve të punës
- Të zbatojë procedurat e kontrollit të pajtueshmërisë me rregullat e punës në ndërtim
- Të zbatojë procedurat e sigurisë në kantieret e ndërtimit
- Të zbatojë procedurat e kontrollit të cilësisë në kryerjen e punimeve të ndërtimit
- Të zbatojë procedurat për kontrollin e ecurisë së punimeve
- Të zbatojë teknikat për ngritjen e skelave
- Të zbatojë teknikat e kontrollit të konformitetit për materialet e ndërtimit
- Të zbatojë teknikat për prishjen e ndërtimeve
- Të zbatojë teknikat e montimit të skelave prej druri
- Të zbatojë teknikat e planifikimit të veprimtarive
- Të zbatojë teknikat e ngritjes së strukturave mbështetëe
- Të zbatojë teknika për identifikimin dhe gjurmimin e planimetrisë së themeleve të një vepre ndërtimi
- Të zbatojë teknikat e dozimit të konglomeratit (rërë, çimento, aditivë ...)
- Të zbatojë teknikat e montimit të skelave prej druri
- Të zbatojë teknikat për realizimin e punimeve në mur
- Të zbatojë teknikat e suvatimit të brendshëm
- Të zbatojë teknika për nivelimin e sipërfaqeve që do të suvatohen
- Të zbatojë teknika për përdorimin e materialeve izoluese
- Të zbatojë teknikat e përfundimit të punimeve në mur bazuar në standardet e projektimit
- Të përdorë mjete për realizimin e punëve ndërtimore (trapan, daltë, pistoleta me ajër ...)
- Të përdorë pajisje mbrojtëse personale
- Të përdorë makineri ndërtimi
- Të përdorë mjete raportimi
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Muratori punon në sektorin e ndërtimit brenda kantiereve, kryesisht i punësuar nga shoqëri ndërtimi të përmasave të ndryshme ose si i vetëpunësuar. Si punonjës i shoqërive të ndërtimit ai merr udhëzime nga drejtuesit e ekipit të punës, drejtuesit e kantierit dhe/ose teknikët. Nga ana tjetër ai vetë u cakton detyra punëtorëve të përfshirë në këto veprimtari. Si punëtor i pavarur ai merr detyra nga klienti dhe/ose nga teknikët dhe shoqëritë, për të cilat do të kryejë veprimtarinë e tij si i nënkontraktuar. Ai koordinohet me punonjësit e tjerë të pranishëm në kantier. Puna kryhet në kantierin e ndërtimit gjatë ditës. Veprimtaria e tij përfshin ngarkesa fizike të vazhdueshme. Janë të domosdoshme përdorimi i pajisjeve për parandalimin e aksidenteve dhe respektimi i standardeve posaçme të sigurisë për kantieret e ndërtimit.
Kërkesat për hyrje në profesion
Nevojitet kualifikim profesional dhe një përvojë e mirë pune në sektor.
Kualifikimet e nevojshme profesionale
Kualifikime profesionale në nivelin III të KSHK-së. Diplomë e arsimit të mesëm profesional në fushën e ndërtimit. Kurse të formimit profesional nga ofrues të njohur nga Ministria e Punës.
Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat Profesionale të Ndërtimit
Ofrues të licencuar/akredituar .
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e vazhdueshme.
Niveli i pagës bruto
Fillon me 50.000 lekë (i ndryshueshëm në varësi të vendit)
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës i një kolegu me përvojë më të gjatë. Me kualifikime mund të arrihet në pozicione si drejtues grupi. Profesionistët e suksesshëm zgjedhin edhe të punojnë me porosi e projekte e të mos jenë në punësim të vazhdueshëm.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al