Agjent punësimi
Kodi Shqiptar i Profesionit
3333- Kontraktues dhe agjentë punësimi
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
3333– Employment Agents and Contractors
Fjalë Kyçe
Punësim, ndërmjetësim punësimi.
Përshkrim i përgjithshëm
Agjenti i punësimit lehtëson, nëpërmjet metodave të ndryshme, procesin e përputhjes së kërkesës së shprehur nga punëdhënësit dhe ofertës së shprehur nga individët që kërkojnë punë, në përputhje me parimin e mundësive të barabarta, transparencës në procedurat e aplikimit dhe rekrutimit dhe të garancive të parashikuara nga legjislacioni në fuqi. Kjo figurë promovon dhe vendos kontakte me punëdhënësit për vendet e lira të punës, kontrollon dhe menaxhon bazat e të dhënave në mënyrë që të identifikojë aplikimet e përshtatshme si dhe mbikëqyrë të gjitha fazat e procesit që nga takimi midis kandidatëve të referuar dhe punëdhënësve, deri në fazën përfundimtare të rezultateve të marra nga shërbimi i ofruar.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Agjenti punësimit duhet të jetë në gjendje të promovojë te punëdhënësit shërbimin e ofruar dhe këtu përfshihen këto veprimtari: promovon shërbimët e ofruara të punëdhënësit përfshirë përfitimet dhe mbështjen e procesit të punësimit; krijon kontakte të drejtpërdrejta me punëdhënësit përmes vizitave, intervistave, takimeve; identifikon nevojat e punëdhënësit për punësim dhe trajnim duke i lidhur ato me karakteristikat organizative të kompanisë dhe pozicionet e punës që duhen plotësuar; identifikon dhe analizon karakteristikat e pozicionit të lirë, profilit të kërkuar dhe kushtet e punës së ofruar; ofron informacione mbi rregulloret e punësimit, kontratat dhe pozicionin; nënshkruan marrëveshjen me punëdhënësin duke përcaktuar veprimtaritë pasuese; kryen bisedime për kohën dhe kushtet për ofrimin e një shërbimi të suksesshëm; plotëson formularët e miratuar nga punëdhënësi për të identifikuar kërkesën për punë dhe për të mbajtur në kontroll procesin; shpërndan në rrjet kërkesën për punë; monitoron vazhdimësinë e procesit.
Agjenti punësimit duhet të ketë aftësi të menaxhojë raportin e kërkesës dhe ofertës për punë midis punëdhënësve dhe punëkërkuesve dhe këtu përfshihen këto veprimtari:pranon kërkesën për shërbim nga punëdhënësit; kërkon për vende të lira duke përdorur burimet në dispozicion (motorët e kërkimit, bazën e të dhënave, sistemin kombëtar të informacionit, etj); kërkon në arkivat elektronikë të disponueshëm, kandidatët dhe profilet e përshtatshme për kërkesat e punës së punëdhënësve; njofton përmes kanaleve të komunikimit në dispozicion kandidatët që kanë aplikuar; analizon profilet profesionale dhe jetëshkrimet e kandidatëve për një përzgjedhje paraprake të kandidaturave; identifikon dhe analizon përmes intervistës aftësitë dhe synimet profesionale të kandidatit; ndihmon kandidatin në plotësimin e formularit profesional dhe / ose jetëshkrimit; kryen intervista (telefonike ose ballë për ballë) me kandidatët në mënyrë që të përcaktojë gatishmërinë e tyre për t'u referuar te punëdhënësit; organizon takimet për intervistë midis kandidatëve dhe punëdhënësve; propozon te punëdhënësit profile kandidatësh në përputhje me nevojat e tyre; propozon zgjidhje kontraktuale për punëtorin dhe kompaninë në përputhje me nevojat e secilit; ofron punëdhënësit shërbimin, në kohën e kërkuar në përputhje me kërkesat e paraqitura; paraqet ose dërgon (me postë, e-mail) profilet e përzgjedhura; kryen kërkime të reja në arkivë kur marrëveshja me punëdhënësin ndryshon; kërkon nga punëdhënësi përshtypjen e tij për rezultatet e shërbimit të ofruar;përditëson të dhënat e përdoruesit dhe punëdhënësit sipas informacionit të ri të marrë përmes shërbimit; respekton konfidencialitetin e informacionit, bazuar në kushtet e marrëveshjes së nënshkruar dhe dispozitat ligjore.
Njohuritë e nevojshme
Analizën e procesit të biznesit; karakteristikat dhe tendencat e tregjeve të ndryshme të punës; mekanizmat e klasifikimit të profileve profesionale; elemente të së drejtës së punës; elemente të menaxhimit të burimeve njerëzore; elemente të organizimit të biznesit; tregun lokal të punës; metodat e analizës së profileve profesionale; mënyrat dhe mjetet e përzgjedhjes së personelit; metodologjitë e analizës së kompetencës; masat dhe planet mbështetëse të punësimit ;ligjin mbi Shërbimet e Punësimit (SPI); legjislacionin mbi politikat aktive të punësimit; politikat aktive të punës; parimet e kujdesit ndaj klientit; procedurat administrative të Shërbimeve të Punësimit; procedurat e rekrutimit; rrjetin territorial të shërbimeve të punësimit; sistemin e arsimit, të trajnimit dhe të punës; mekanizmat për përputhjen e ofertës me kërkesën; sistemin e pagave; teknikat e analizës së nevojave profesionale; teknikat e komunikimit telefonik; teknikat e negocimit; teknikat e planifikimit të veprimtarive; teknikat e promovimt; karakteristikat dhe llojet e ndryshme të kontratave të punës të parashikuara nga legjislacioni aktual
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë metodologjinë e analizës së proceseve të punës
Të përdorë mekanizmat për përputhjen e ofertës dhe kërkesës për punë
Të përdorë teknikat e analizës së pozicionit të punës
Të përdorë teknikat e komunikimit telefonik
Të përdorë teknikat e intervistimit
Të zbatojë teknikat e përcaktimit të veprimtarive promovuese
Të zbatojë teknikat e menaxhimit të marrëdhënieve tregtare me klientët
Të përdorë teknikat e kërkimit të personelit
Të përdorë mjete për promovimin e shërbimeve lokale të punësimit
Të përdorë metodat për zhvillimit e intervistave për përzgjedhjen e kandidatëve
Të zbatojë teknikat e analizës së aftësive
Të ndjek teknikat e monitorimit të veprimtarive
Të përdorë teknikat e kërkimit në internet
Të përdorë programe kompjuterike për kërkimin në bazën e të dhënave
Të përdorë programe kompjuterike për të përputhur ofertën dhe kërkesën
Të përdorë mjete informatike për të komunikuar me kandidatët e mundshëm
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Kjo figurë profesionale punon në struktura publike ose private të licencuara për ofrimin e shërbimit të punësimit, të dhënies së informacionit për tregun e punës.
Kërkesat për hyrje në profesion
Nuk ka rregullime të posaçme për këtë profesion. Për institucionet publike të ofrimit të shërbimeve të punësimit, kërkesat e vecanta për këto pozicione percaktohen në rregulloret e brendshme
Kualifikimet e nevojshme profesionale
Kualifikime profesionale në nivelin V të KSHK-së. Nevojitet të paktën një diplomë e shkollës së lartë, kryesisht në degët e shkencave shoqërore. Plotësime me master specializimi është avantazh i rëndësishëm
Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Universitete publike e private.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Në një treg pune vazhdimisht në ndryshim ky shërbim mbetet i nevojshëm dhe i kërkuar.
Mundësitë për karrierë
Karriera mund të fillojë si ndihmës në përpunimin dhe sistemimin e informacionit dhe vazhdon me shërbimin e personalizuar dhe drejtues njësish. Me zotërimin e tërësisë së kompetencave, disa individë mund të vendosin të krijojnë agjencinë e tyre të punësimit.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al