Administrator i Sistemeve dhe Rrjeteve
Kodi Shqiptar i Profesionit
2522.01
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Specialistë të bazës së të dhënave dhe administratorë të sistemeve (ISCO 252)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Shërbime të teknologjisë së informacionit (NACE 62)
Fjalë Kyçe
TIK, informatikë, rrjete, sisteme informatike, bazë të dhënash
Përshkrim i përgjithshëm
Kjo figurë profesionale ndihmon projektuesit dhe administratorët e sistemit në instalimin, konfigurimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve telematike dhe sistemeve të sigurisë. Veprimtaritë kryesore që lidhen me këtë figurë janë: identifikimi dhe plotësimi i kërkesave specifike të klientëve; instalimi dhe konfigurimi i rrjetet informatike; hartimi dhe zbatimi i masave të sigurisë për sistemet e informacionit; menaxhimi i serverave; ofrimi i trajnimit / informimit për klientët; mirëmbajtja dhe optimizimi i rrjeteve informatike; menaxhimi i rrjeteve informatike.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Administratori i sistemeve dhe rrjeteve duhet të jetë në gjendje të krijojë dhe zhvillojë aplikacione dhe këtu përfshihen këto veprimtari: i shpjegon dhe komunikon klientit projektimi / zbatimin e programit; kryen dhe vlerëson testet duke i krahasuar ato me specifikat e produktit; përdor arkitekturën e duhur software dhe/ose hardware; projekton dhe zhvillon ndërfaqet e përdoruesve dhe komponentët e softuerit; menaxhon dhe garanton një nivel të lartë cilësie dhe integrimi me programet ekzistuese; përdor dhe njeh standardet për paraqitjen e të dhënave; zbaton dhe vlerëson testet në mjedisin e zhvillimit; bashkëpunon me projektuesit dhe me ekipin e zhvillimit të programit. Administratori i sistemeve dhe rrjeteve duhet të jetë në gjendje të realizojë integrimin e përbërësve dhe këtu përfshihen këto veprimtari: mat performancën e sistemit përpara, gjatë dhe pas integrimit të sistemit; dokumenton dhe regjistron veprimtaritë, problemet dhe procesin e riparimit; plotëson kërkesat e klientëve me produktet ekzistuese; sigurohet që integrimi i sistemeve plotëson specifikat; mbron apo ruan të dhënat për të siguruar integritetin e tyre gjatë proceseve të integrimit të sistemit. Administratori i sistemeve dhe rrjeteve duhet të jetë në gjendje të kryejë testimin e sistemeve IT dhe këtu përfshihen këto veprimtari: krijon dhe menaxhon një plan për testet; menaxhon dhe vlerëson procesin e testimit; harton testet e sistemeve IT; përgatit dhe kryen teste të sistemeve IT; zhvillon raportimin dhe dokumentimin e testeve dhe rezultateve përkatëse. Administratori i sistemeve dhe rrjeteve duhet të jetë në gjendje të hartojë dokumentacionin teknik të zgjidhjeve IT dhe këtu përfshihen këto veprimtari: ndjek dhe kontrollon përdorimin e standardeve të dokumentacionit të ndërmarrjes; përgatit shabllonet për botime të përbashkëta; organizon dhe kontrollon rrjedhën e punës për menaxhimin e përmbajtjes; mban botimet në përputhje me zgjidhjet gjatë gjithë ciklit jetësor. Administratori i sistemeve dhe rrjeteve duhet të jetë në gjendje të mbështesë ndryshimet dhe zhvillimin e mëtejshëm të sistemit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: ndan specifikat funksionale dhe teknike me ekipet e IT-së që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e zgjidhjeve IT; menaxhon komunikimet me ekipet që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e sistemeve të informacionit; analizon ndikimin e ndryshimeve funksionale/teknike te përdoruesit; parashikon të gjitha veprimet e nevojshme për të zbutur ndikimin e ndryshimeve (trajnim, dokumentacion, procese të reja ...). Administratori i sistemeve dhe rrjeteve duhet të jetë në gjendje të kryejë procesin e përgatitjes dhe nxjerrjes në përdorim të zgjidhjeve (deployment) dhe këtu përfshihen këto veprimtari: organizon rrjedhën e punës për nxjerrjen e zgjidhjeve dhe veprimtaritë e nxjerrjes së produkteve; organizon dhe planifikon veprimtaritë beta-test dhe teston zgjidhjen në mjedisin e tij të fundit operativ; konfiguron komponentët në secilin nivel për të siguruar saktësi në ndërveprimin e tyre; identifikon dhe përdor aftësitë e nevojshme për të zgjidhur problemet e ndërveprimit; organizon dhe kontrollon ofrimin e shërbimeve mbështetëse fillestare, përfshirë trajnimin e përdoruesve gjatë nisjes së funksionimit të sistemit; organizon dhe menaxhon bazën e të dhënave; bashkëpunon për të modifikuar kodin e palëve të treta, mbështet dhe mirëmban programin e modifikuar. Administratori i sistemeve dhe rrjeteve duhet të jetë në gjendje të ofrojë shërbime IT dhe këtu përfshihen këto veprimtari: zbaton procese që përfshijnë organizimin strategjik të ofrimit të shërbimeve IT; përpilon dhe plotëson dokumentacionin e përdorur në ofrimin e shërbimeve IT; analizon ofrimin e shërbimeve në dispozicion dhe të raportojë te eprorët rezultatet; planifikon dhe organizon ngarkesën e punës së bashkëpunëtorëve për të ofruar shërbime efikase dhe ekonomike. Administratori i sistemeve dhe rrjeteve duhet të jetë në gjendje të menaxhojë problemet që lidhen me teknologjinë e informacionit dhe komunikimit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: mbikëqyr problemet gjatë ciklit jetësor dhe i komunikon ato në mënyrë efektive; identifikon defektet e mundshme të përbërësve kritikë dhe zbut efektet e tyre; kryen auditime për administrimin e rrezikut dhe minimizimin e tij; përcakton burimet e duhura për mirëmbajtjen duke balancuar koston dhe rrezikun; komunikon në të gjitha nivelet për të siguruar përdorimin e burimeve të brendshme dhe të jashtme për minimizimin e ndërprerjeve të punës. Administratori i sistemeve dhe rrjeteve duhet të jetë në gjendje të hartojë një strategji për sigurinë dhe këtu përfshihen këto veprimtari: zhvillon dhe analizon në mënyrë kritike strategjinë e ndërmarrjes për sigurinë e informacionit; përcaktonë, paraqet dhe promovon politikën e sigurisë së informacionit te drejtuesit e organizatës; zbaton standardet, praktikat më të mira dhe kërkesat ligjore më të rëndësishme për sigurinë në IT; paraprin ndryshimet në lidhje me sigurinë e ndërmarrjeve dhe formulon plane të reja; propozon masa efektive në lidhje me emergjencat.
Njohuritë e nevojshme
Arkitektura teknike e një aplikacioni ekzistues TIK; praktikat dhe standardet më të mira në lidhje me menaxhimin e sigurisë së informacionit; praktikat dhe standardet më të mira në ofrimin e shërbimeve IT; praktikat më të mira të teknikave të projektimit; praktikat dhe standardet më të mira për menaxhimin e sigurisë informatike; cikli jetësor i një procesi testimi; lidhjet midis elementeve të infrastrukturës së sistemit dhe ndikimit të defektit në proceset e lidhura të biznesit; hardware, software, modulet ekzistuese dhe të reja; përbërësit, mjetet dhe arkitekturën hardware; DBMS dhe teknikat e ruajtjes së të dhënave; llojet e ndryshme të testeve (funksionale, integruese, performancës, përdorimit, stresit etj.); dokumentet teknike të kërkuara për hartimin, zhvillimin dhe nxjerrjen e produkteve, aplikacioneve dhe shërbimeve; ndikimi që integrimi i sistemit ka në sistemin/organizatën ekzistuese; Integrated Development Environment (IDE); Interface Definition Languages (IDL); mobility strategy; zbatimi dhe disponueshmëria e instrumenteve diagnostikuese; ndikimi i kërkesave ligjore në sigurinë e informacionit; ndikimi i deployment në arkitekturën aktuale; infrastruktura e përgjithshme e TIK-ut në organizata dhe përbërësit kryesorë; gjuhët e programimit; gjuhët dhe teknikat e modelimit; metodat dhe teknikat për paketimin dhe shpërndarjen e aplikacioneve; modelet e konsumit të energjisë të software dhe/ose hardware; modelet e shërbimit (SaaS PaaS IaaS) dhe ato operacionalë (p.sh. Cloud Computing); monitorimi për shërbimet e ofruara; identifikimi i kërcënimeve të mundshme ndaj sigurisë së informacionit të ndërmarrjeve; potencialet dhe mundësitë e ofruara nga standardet dhe praktikat më të mira në sigurinë e informacionit; problematikat e pronësisë intelektuale (IPR); procedurat e regjistrimit të veprimtarive në lidhje me ofrimin e shërbimeve; procedurat e raportimit të organizatës; procedurat për administrimin e çështjeve kritike të biznesit; proceset e biznesit dhe varësia e tyre nga programet TIK; projektimi funksional dhe teknik; programet / modulet e përshtatshme; Rapid Application Development (RAD); kërkesat për ofrimin e shërbimeve IT; siguria në zhvillimin e programeve; sistemet operative dhe platformat e programeve kompjuterike; specifikat funksionale të një sistemi informacioni; standardet kombëtare dhe ndërkombëtare që përcaktojnë kriteret e cilësisë për testimin; stadi aktuali i zhvillimit të teknologjive; strategjia për sigurimin e informacionit të organizatës; mjetet e kontrollit të versionit për prodhimin e dokumentacionit; mjetet për krijimin e prezantimeve multimediale; mjetet dhe teknikat e menaxhimit të ndryshimit; mjetet për prodhimin, redaktimin dhe shpërndarjen e dokumenteve profesionale; teknikat e analizës së performancës së një sistemi informacioni; teknikat e menaxhimit të problemeve (funksionimi, performanca, përputhshmëria e sistemit të informacionit); teknikat e ndërfaqes midis moduleve, sistemeve dhe përbërësve; teknikat e testit të integrimit; teknikat, infrastrukturën dhe mjetet e përdorura në procesin e testimit; teknologjitë dhe standardet që do të përdoren në deployment; teknologjitë web, cloud dhe mobile; mjetet e zhvillimit (p.sh. mjedisi i zhvillimit, menaxhimi, hyrja dhe rishikimi i kodit burimor).
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të përshtasë zgjidhjet ekzistuese me ndryshimet e organizatës (p.sh. porting i një aplikacioni nga një sistem tjetër operativ). Të zbatojë metoda për të optimizuar efikasitetin, kostot dhe cilësinë në zhvillimin e aplikacionit. Të zbatojë teknikat e kodimit, debugging dhe testimit në zhvillimin e aplikacionit. Të zgjedhë teknikat më të përshtatshme për zhvillim (p.sh. ripërdorimi, përmirësimi, rikonfigurimi i përbërësve ekzistues). Të përdorë metoda për personalizimin e programit. Të përdorë metoda për ta bërë programin të vlefshëm. Të zbatojë procedura të përcaktuara (p.sh. configuration management e package maintenance). Të zbatojë teknikat e verifikimit të performancës së sistemit pas integrimit të përbërësve. Të zbatojë teknika për instalimin e komponentëve hardware dhe software në një sistem ekzistues. Të përdorë metoda për të kontrolluar përputhshmërinë midis moduleve ekzistuese dhe atyre të reja. Të përdorë metodat e dokumentimit të procesit të integrimit të përbërësve. Të zbatojë procedurat e testimit të sistemeve IT. Të zbatojë standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për shëndetin, sigurinë, përdorshmërinë, performancën, besueshmërinë dhe përputhshmërinë e sistemeve IT. Të përdorë metoda për prodhimin e dokumentacionit në lidhje me proceset e certifikimit të sistemeve IT. Të zbatojë teknikat e përshkrimit të produkteve, shërbimeve, komponentëve ose programeve në IT. Të përdorë sisteme të menaxhimit të dokumenteve. Të përdorë stilet dhe mjetet e përshtatshme për dokumentacionin që duhet të paraqitet. Të përdorë mjetet e kontrollit të versionit për prodhimin e dokumentacionit. Të zbatojë service level agreement (SLA) në menaxhimin e procesit të modifikimit të sistemeve. Të zbatojë procedurat e sigurisë së të dhënave në procesin e modifikimit të sistemeve. Të zbatojë metodat e planifikimit për ndryshimet në hardware dhe software. Të përdorë metodat e analizimit të ndikimit të ndryshimeve funksionale / teknike. Të zbatojë fluksin e punës të deployment. Të zbatojë rregullat për përpilimin e dokumentacionit pas lëshimit të zgjidhjes. Të zbatojë teknikat për analizimin e performancës së një sistemi informacioni. Të zbatojë teknikat për beta-test. Të zbatojë teknikat e konfigurimit të hardware, software dhe rrjeteve, duke siguruar ndërveprimin e përbërësve të sistemit. Të zbatojë teknikat e migrimit të të dhënave dhe futjes së bazave të të dhënave. Të zbatojë procedurat e ofrimit të shërbimeve IT në përputhje me Service Level Agreement. Të zbatojë rregullat e përpilimit të dokumentacionit operativ në ofrimin e shërbimeve IT. Të zbatojë teknikat e planifikimit të kapaciteteve të sistemit IT. Të zbatojë teknikat e mirëmbajtjes të mjeteve të monitorimit (p.sh. Script, Procedurat, etj.). Të zbatojë teknikat e monitorimit të ofrimit të shërbimit. Të zbatojë metodat për identifikimin e defekteve të mundshme në komponentët e sistemit të informacionit. Të zbatojë procedurat për zgjidhjen e situatave kritike. Të zbatojë teknikat e monitorimit të incidenteve dhe problemeve në TIK. Të zbatojë teknika për optimizimin e performancës së sistemeve të informacionit dhe përbërësve të tyre. Të përdorë metodat e analizës së sistemit të informacionit bazuar në përsëritjen e gabimeve. Të zbatojë standardet më të rëndësishme, praktikat më të mira dhe kërkesat ligjore për sigurinë e informacionit. Të zbatojë teknikat për digital forensic dhe testeve për të zbuluar dobësitë. Të promovojë sigurinë informatike në menaxhimin e organizatës. Të përdorë metodologjitë për përcaktimin e një strategjie për sigurinë e informacionit.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Kjo figurë profesionale gjen hapësira të ndryshme për ushtrimin e profesionit brenda sektorit të TIK-ut. Sektori i TIK-ut kuptohet si një grup teknologjish (përbërës, sisteme dhe programe softuerike) që lejojnë paraqitjen, organizimin, përpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve. Informacionet mund të jenë numerike, tekstuale, vizuale, zanore ose kombinim i tyre (përmbajtje multimediale). Sidoqoftë, ky përkufizim është i kufizuar vetëm në kontekstet metodologjike, teknologjike, të elektronikës, teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacionit, pa marrë parasysh që programet kompjuterike prekin çdo sektor të shoqërisë, me të gjitha ndikimet ekonomike dhe organizative në aftësi, profesionalizëm, trajnim dhe hulumtim në të gjithë sektorin. Sot TIK-u është një nga fushat më të rëndësishme, inovative dhe për rrjedhojë strategjike për politikën, ekonominë, sipërmarrjen, kërkimin shkencor dhe në përgjithësi për tërë botën e medias. Rëndësia e produkteve dhe shërbimeve të reja është rritur ndjeshëm për vetë rolin që ato të luajnë në zhvillimin ekonomik, mundësitë që ato ofrojnë për inovacionin e ndërmarrjeve dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre, si dhe mundësitë e shumta të punësimit. Kjo rrjedhimisht sjell shumë përfitime për përdoruesit dhe për shoqërinë në tërësi.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nuk ka parakushte detyruese, por në nivelin ndërkombëtar kurse të shumta të kualifikimit dhe certifikimit janë zyrtarizuar nga shoqëritë shumëkombëshe në TIK (p.sh. Microsoft, Cisco, etj.) në teknologji specifike dhe/ose sisteme operative. Këto certifikime, megjithëse nuk kanë asnjë vlerë juridike, përbëjnë një kërkesë preferenciale dhe shpesh të detyrueshme për zgjedhjen e punonjësve.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin V të KSHK-së. Mundësitë e trajnimit dhe formimit në fushat e teknologjisë së informacionit, telematikës dhe TIK-ut janë të shumta, në nivelin e formimit profesional, teknik dhe universitar.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Ekziston një ofertë e gjerë dhe e artikuluar në fushat e teknologjisë së informacionit në të gjithë zinxhirin e formimit profesional, arsimit profesional teknik dhe universitar. Ka një prirje për të ofruar programe arsimore e trajnuese të posaçme për administratorë të sistemeve dhe rrjeteve informatike. Universitetet, shkollat profesionale, që kanë specializime në informatikë, ofrues të licencuar apo të akredituar.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e vazhdueshme, sidomos për njerëz me kompetencë profesionale të dëshmuar.
Mundësitë për karrierë
Shpesh futja në punë bëhet përmes një kontrate trajnimi që mundëson një formim të mëtejshëm në vendin e punës. Me kualifikime mund të arrihet në nivele më të larta të përgjegjësit për administrimin e sistemeve dhe rrjeteve informatike, apo në pozicione të drejtuesit të projektit dhe skuadrash. Profesionistë të suksesshëm mund të zgjedhin edhe të punojnë me porosi e projekte e të mos jenë në punësim të vazhdueshëm.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al