Arkitekt
Kodi Shqiptar i Profesionit
2161.02
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Arkitektë, projektues, studiues dhe dizenjues (ISCO 216)
Fjalë Kyçe
Ndërtim, arkitekt, arkitekturë
Përshkrim i përgjithshëm
Arkitekti i ndërtimit dizajnon, kompozon dhe projekton ndërtesa civile (komerciale, institucionale, rezidenciale dhe rekreative), bujqësore dhe industriale, planifikon e monitoron ndërtimin e tyre. Arkitekti e kompozon punën e tij duke pasur parasysh disa objektiva që ndërtesa të jetë e qëndrueshme, funksionale dhe estetike. Ai e ideon dhe projekton ndërtesën si të pashkëputur nga urbanistika dhe nga organizimi hapësinor i grupeve të ndërtesave me funksione të ndryshme si rrjeti rrugor, struktura urbane etj. Arkitekti i ndërtesës mund të punësohet në institucione publike, në kompani private, por mund ta ushtrojë edhe vetë (i vetëpunësuar) këtë aktivitet pasi të jetë pajisur me licencën përkatëse.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Inspektojnë, konsultojnë me klientin, personelin manaxhues apo aksionarët për vendndodhjen, formën, stilin dhe përmasat e objektit qe do të projektojë në raport me ndërtesat ekzistuese; Marrin informacion zyrtar për organizimin e objekteve të tjera përreth ndërtesës që do projektojnë, për sistemin rrugor, rrjetet e tjera inxhinierike, sistemin hidrik, elektronik etj.; Studiojnë kushtet e krijuara nga konteksti urbanistik, si dhe distancat nga ndërtesat e tjera; Kryejnë vetë ose së bashku me një apo grup urbanistësh një studim të pjesshëm urbanistik (SPU), pjesë e të cilit është edhe ndërtesa në fjalë; Hartojnë një plan të përgjithshëm të ndërtesës, duke pasur parasysh ambientet kryesore, ato ndihmëse, argëtuese, etj. dhe sipërfaqet e secilës në raport me ndërtesën; Hartojnë një projekt duke shfrytëzuar vetitë bioklimatike të elementeve të ndërtesës ose ato që i shtohen, si p.sh panelet diellore, duke shfrytëzuar edhe orientimin për një kursim ose përfitim sa më të mirë të energjisë; Kryejnë një plan konstruktiv për shpërndarjen e rrjetit të kolonave, kafazin e shkallëve, sipërfaqet e xhamit, planin e çatisë, nëse ka, etj.; Vendosin për përdorimin e materialeve në ndërtese, duke i shërbyer anës estetike, ekuilibrit të ndërtesës; Përcaktojnë ngjyrat e ndryshme të materialeve që rrisin anën estetike të ndërtesës; Bëjnë përpunimin grafik të projektit, duke kryer vizatime të ndryshme të pjesëve të ndryshme të projektit në 2D dhe 3D, planimetri, fasada, prerje, aksonometri, për punime imazhesh, etj.; Përgatitin një maket, të krijuar me materialet e ndryshme: plastike, shkumë deti, dru, metal, etj. duke u bazuar në projekt; Shkruajnë specifikimet dhe dokumentet e kontratës që do përdoren nga ndërtuesit dhe ndihmojnë ose bëjnë thirrjen e tenderëve për zbatimin e projektit në emër të klientit; Monitorojnë ndërtimin ose restaurimin në përputhje me specifikimet dhe standardet e cilësisë; Monitorojnë dhe konsultohen me specialistët për problemet teknike; Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të njohë mirë legjislacionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Të zhvillojë dhe ideojë teori të përmirësuara në fushën e arkitekturës. Të demonstrojë njohuri të plota në bazat e grafikës dhe vizatimit, ergonomi, kompozim të hapësirës, projektim interieri, dizajn, materiale ndërtimi, impiantistikë, etj. Përvetësimi i këtyre njohurive do të realizohet lidhur ngushtë me historinë dhe teorinë e artit, arkitekturës, interierit dhe dizajnit. Të zbatojë rregulla dhe parime mbi projektimin ambiental, rinovimin, konservimin dhe restaurimin, vlerësimin ekonomik apo organizimin e punimeve. Të demonstrojë aftësi në komunikimin verbal dhe grafik, të organizojë e drejtojë ideimin, projektimin, realizimin e punimeve apo prodhimin në koordinim me specialistë të tjerë. Të kryejë plotësimin dhe ruajtjen e dokumentacionit, në formatin fizik dhe elektronik. Të komunikojë me profesionalizëm me eprorë, kolegë dhe të tjerë.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Arkitekti angazhohet në kuadrin e marrëdhënieve kontraktuale me punëdhënësin apo mund të vetëpunësohet.

Kërkesat për hyrje në profesion

Kërkohet të ketë diplomë universitare në fushen përkatëse. Preferohet të njohë programe kompjuterike si 3Dmax , 3D, Lightwave, Photoshop, Adobe Illustrator etj.. Licencë të marrë nga Komisioni i posaçëm pranë Drejtorisë përgjegjëse për licencimin në Ministrinë përgjegjëse për zhvillimin Urban.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Diplome Bachelor Niveli 6 në KSHK dhe Master Niveli 7 në KSHK.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Universitete me profile të ndërtimit.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Programi studimor për arkitekturë është ndër më të kërkuarit.
Mundësitë për karrierë
Arkitekti i ndërtimit mund të punësohet në institucione publike, në kompani private, por mund ta ushtrojë edhe vetë (i vetëpunësuar) këtë aktivitet pasi të jetë pajisur me licencën përkatëse.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al