Administrator baze të dhënash
Kodi Shqiptar i Profesionit
2521.01
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Specialistë të bazës së të dhënave dhe administratorë të sistemeve (ISCO 252)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Shërbime të teknologjisë së informacionit (NACE 62)
Fjalë Kyçe
TIK, bazë të dhënash, teknologji informacioni, teknologji kompjuterike, sisteme informatike
Përshkrim i përgjithshëm
Administratori i bazës së të dhënave ndihmon analistët dhe projektuesit duke menaxhuar, kontrolluar dhe mirëmbajtur bazat e të dhënave dhe sistemet përkatëse të sigurisë informatike. Veprimtaritë kryesore që lidhen me administratorin e bazës së të dhënave janë: menaxhimi i sigurisë së bazës së të dhënave; ruajtja e të dhënave; menaxhimi i strukturës së bazës të të dhënave; nxjerrja e të dhënave nga skedarët informatikë; kryeja e veprimtarive të zakonshme ose të jashtëzakonshme të mirëmbajtjes në sisteme ose programe; kryerja dhe kontrolli i rezultateve të ruajtjes së të dhënave; përpunimi dhe përcjellja e të dhënave; vendosja e të dhënave në skedarët informatikë; krijimi, përditësimi dhe menaxhimi i bazës së të dhënave; kontrolli i cilësisë së të dhënave të marra.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Administratori i bazës së të dhënave duhet të jetë në gjendje të zhvillojë aplikacione dhe këtu përfshihen këto veprimtari: i shpjegon dhe i komunikon klientit programimin/realizimin, kryen dhe vlerëson testet duke i krahasuar ato me specifikat e produktit, zbaton arkitekturën e duhur për software dhe/ose hardware, harton dhe zhvillon ndërfaqet e përdoruesve dhe komponentët e aplikacionit, menaxhon dhe garanton një nivel të lartë cilësie dhe integrimi me aplikacionet ekzistuese, përdor dhe njeh standarde për përfaqësimin e të dhënave, drejton dhe vlerëson testet në mjedisin e zhvillimit, bashkëpunon me ekipin e zhvillimit dhe projektuesit e aplikacionit. Administratori i bazës së të dhënave duhet të jetë në gjendje të kryejë integrimin e përbërësve dhe këtu përfshihen këto veprimtari: mat performancën e sistemit përpara, gjatë dhe pas integrimit të sistemit; dokumenton dhe regjistron veprimtaritë, problemet dhe veprimtaritë e lidhura me riparimin; plotëson nevojat e klientëve me produktet ekzistuese; kontrollon që integrimi i sistemeve të plotësojë specifikat; mbron/kryen ruajtjen e të dhënave për të siguruar integritetin e tyre gjatë proceseve të integrimit të sistemit. Administratori i bazës së të dhënave duhet të jetë në gjendje të testojë sistemet e teknologjisë së informacionit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: krijon dhe menaxhon një plan testi, drejton dhe vlerëson procesin e testit, harton testet e sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), përgatit dhe kryen teste të sistemeve të TIK-ut, zhvillon raportimin dhe dokumentimin e testeve dhe rezultatet e tyre. Administratori i bazës së të dhënave duhet të jetë në gjendje të prodhojë dokumentacionin teknik të zgjidhjeve në TIK dhe këtu përfshihen këto veprimtari: ndjek dhe kontrollon përdorimin efektiv të standardeve të dokumentimit të organizatës; përgatit modele për publikime për shpërndarje; organizon dhe kontrollon rrjedhën e punës për menaxhimin e përmbajtjeve; bën të mundur që botimet të qëndrojnë në përputhje me zgjidhjet gjatë gjithë ciklit jetësor. Administratori i bazës së të dhënave duhet të jetë në gjendje të kryejë inxhinierimin e sistemeve të TIK-ut dhe këtu përfshihen këto veprimtari: i shpjegon dhe i komunikon klientit programimin/realizimin; kryen dhe vlerëson testet duke i krahasuar ato me specifikimet e produktit; zbaton arkitekturën e duhur për software dhe/ose hardware; harton dhe zhvillon arkitekturat hardware, ndërfaqet e përdoruesit dhe përbërësit software përkatës; menaxhon dhe garanton një nivel të lartë kohezioni dhe cilësi të lartë në zhvillimin e programeve komplekse; përdor standarde, modele dhe teknika të modelimit të të dhënave; zbaton modelet e procesit të zhvillimit për të zhvilluar në mënyrë efektive dhe eficiente. Administratori i bazës së të dhënave duhet të jetë në gjendje të mbështesë ndryshimet/zhvillimet e sistemit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: u komunikon specifikimet funksionale dhe teknike ekipeve të TIK-ut, që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe evolucionin e zgjidhjeve të TIK-ut; menaxhon komunikimet me ekipet që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe evolucionin e sistemeve informatike; analizon ndikimin e ndryshimeve funksionale/teknike te përdoruesit; paraprin me të gjitha veprimet e nevojshme për të zbutur ndikimin e ndryshimeve (trajnim, dokumentacion, procese të reja...). Administratori i bazës së të dhënave duhet të jetë në gjendje të përmirësojë proceset e TIK-ut dhe këtu përfshihen këto veprimtari: harton, dokumenton dhe klasifikon proceset dhe procedurat themelore; propozon ndryshime në proces, për të lehtësuar dhe racionalizuar përmirësimet; kryen ndryshimin e proceseve. Administratori i bazës së të dhënave duhet të jetë në gjendje të menaxhojë të dhënat dhe njohuritë dhe këtu përfshihen këto veprimtari: mbledh njohuritë dhe nevojat e brendshme dhe të jashtme për informacion; formalizon kërkesat e klientit; përkthen dhe analizon proceset e biznesit për t’i shndërruar ato në informacione të strukturuara; i bën të dhënat të disponueshme; sigurohet që të respektohen pronësia intelektuale dhe standardet e privatësisë; mbledh, ruan, analizon në formate të ndryshme, grupe komplekse të të dhënave në bazat e të dhënave të pastrukturuara.
Njohuritë e nevojshme
Arkitektura teknike e një aplikacioni ekzistues në TIK, praktikat më të mira të teknikave të projektimit, praktikat dhe standardet më të mira për menaxhimin e sigurisë në TIK, cikli jetësor i një procesi testimi, përbërësit hardware, software, modulet ekzistuese dhe të reja, përbërësit, pajisjet dhe arkitekturat hardware DBMS dhe teknikat e magazinimit të të dhënave, lloje të ndryshme të testeve (teste funksionale, integruese, performance, përdorshmërie, stresi etj.), dokumentet teknike të kërkuara për hartimin, zhvillimin dhe vendosjen (deploying) e produkteve, të aplikacioneve dhe shërbimeve, ndikimi që ka integrimi i sistemeve në sistemin/organizimin ekzistues, mjediset për zhvillim të integruar (Integrated Development Environment - IDE), gjuhët për percaktimin e ndërfaqes (Interface Definition Languages - IDL), bazat e sigurisë informatike, gjuhët e programimit, gjuhët dhe teknikat e modelimit, metodat e studimit krahasues (benchmark) dhe metodat e matjes (performanca, ngarkesa, etj.), metodologjitë e vlerësimit, modelimit dhe zbatimit, modelet e konsumit të energjisë së software dhe/ose të hardware, optimizimi i burimeve dhe ulja e harxhimeve (hardware, software, detyrat e personelit, etj.), problematikat e pronësisë intelektuale (IPR), problematikat e lidhura me madhësinë e grupeve të të dhënave (p.sh. big data), problematikat që kanë të bëjnë me të dhënat e pastrukturuara (p.sh. data analytics), proceset e bizneseve dhe varësia e tyre ndaj aplikacioneve informatike, proceset e brendshme (rrjedha e punës, menaxhimi i proceseve etj.), projektimi funksional dhe teknik, programet/modulet software të përshtatshme, programet/modulet software DBMS dhe gjuhët përkatëse, prototipimi në TIK, zhvillimi i shpejtë i aplikacionit (Rapid Application Development - RAD), siguria në zhvillimin e aplikacioneve, sistemet operative dhe platformat e programeve kompjuterike, specifikimet funksionale të një sistemi informacioni, standardet kombëtare dhe ndërkombëtare që përcaktojnë kriteret e cilësisë për testimin, gjendjen aktuale të teknologjive, mjetet e kontrollit të versionit për prodhimin e dokumentacionit, mjetet dhe pajisjet e përdorshme për ruajtjen dhe rikuperimin e të dhënave, mjetet dhe teknikat për menaxhimin e ndryshimit, mjetet për krijimin e prezantimeve multimedia, mjetet për prodhimin, redaktimin dhe shpërndarjen e dokumenteve profesionale, zhvillimet e rëndësishme të TIK-ut dhe ndikimi i tyre i mundshëm në procese, teknikat e ndërfaqes midis moduleve, sistemeve dhe përbërësve, teknikat e provës së integrimit, teknikat, infrastrukturat dhe mjetet e përdorura në procesin e testimit, teknologjitë web cloud, mjetet e zhvillimit (p.sh. mjedisi i zhvillimit, menaxhimi, hyrja dhe rishikimi i kodit burimor).
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të përshtasë zgjidhjet ekzistuese ndaj ndryshimeve të biznesit (p.sh. transferimi i një aplikacioni nga një sistem tjetër operativ). Të zbatojë metoda për të optimizuar efikasitetin, kostot dhe cilësinë në zhvillimin e aplikacioneve. Të zbatojë teknikat e kodimit, debugging dhe testimit në zhvillimin e aplikacionit. Të zgjedhë teknikat më të përshtatshme për zhvillim (p.sh. ripërdorimi, përmirësimi, rikonfigurimi i përbërësve ekzistues). Të përdorë metoda për të personalizuar zhvillimin e aplikacioneve. Të përdorë metoda për të vërtetuar kolauduar. Të zbatojë procedura të përcaktuara (p.sh. menaxhim konfigurimi dhe mirëmbajtje e paketës - configuration management dhe package maintenance). Të zbatojë teknikat e verifikimit të performancës së sistemit pas integrimit të përbërësve. Të zbatojë teknikat për të instaluar komponentët hardware dhe software në një sistem ekzistues. Të përdorë metoda për të kontrolluar përputhshmërinë midis moduleve ekzistuese dhe të reja. Të përdorë metoda për të dokumentuar procesin e integrimit të komponentëve. Të zbatojë procedurat e testimit në TIK. Të zbatojë standardet kombëtare dhe ndërkombëtare për shëndetin, sigurinë, përdorshmërinë, performancën, besueshmërinë dhe përputhshmërinë e sistemeve informatike. Të përdorë metoda për prodhimin e dokumentacionit në lidhje me proceset e certifikimit të sistemeve informatike. Të zbatojë teknikat për përshkrimin e produkteve, shërbimeve, komponentëve ose aplikacioneve në informatikë. Të përdorë sistemet e menaxhimit të dokumenteve. Të përdorë stilet dhe mjetet e përshtatshme për dokumentacionin që duhet prodhuar. Të përdorë mjetet e kontrollit të versionit për prodhimin e dokumentacionit. Të zbatojë metodat e simulimit të sjelljeve të sistemeve informatike. Të zbatojë procedurat e testimit të sistemeve informatike. Të përdorë metodologji sistematike për të analizuar dhe ndërtuar komponentë dhe ndërfaqe. Të përdorë teknikat e ndërtimit të modelit për të strukturuar një sistem informacioni. Të zbatojë marrëveshjet SLA (Service Level Agreement) në menaxhimin e procesit të modifikimit të sistemeve. Të zbatojë procedurat e sigurisë së të dhënave në procesin e modifikimit të sistemeve. Të zbatojë metodat e planifikimit të ndryshimeve hardware dhe software. Të përdorë metoda për të analizuar ndikimin e ndryshimeve funksionale/teknike. Të zbatojë metoda për të matur efikasitetin e proceseve në TIK. Të përdorë kritere për të vlerësuar indikacionet kundërshtuese të mundshme për ndryshimin e proceseve në TIK. Të përdorë një metodologji sistematike për të vlerësuar, planifikuar dhe zbatuar ndryshimet teknologjike që synojnë përfitime të matshme. Të zbatojë metodat për data mining. Të zbatojë metodat e strukturimit të të dhënave në mënyrë që ato të vihen në dispozicion sipas nevojave të biznesit. Të zbatojë metoda për të analizuar informacionet e pastrukturuara dhe proceset e biznesit. Të përcaktojë politikat e shpërndarjes së të dhënave. Të përdorë mjete dhe teknologji të përshtatshme për ruajtjen dhe rikuperimin e të dhënave.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Administratori i bazave të të dhënave ka të bëjë me detyra të ndryshme, përgjegjësi dhe mundësi zhvillimi profesional në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Sektori i TIK-ut është menduar si një grup teknologjish (përbërës, sisteme dhe programe software) që lejojnë përfaqësimin, organizimin, përpunimin dhe shkëmbimin e informacioneve. Informacionet mund të jenë numerike, tekst, imazhe, ose një kombinim i tyre (përmbajtje multimediale). Sidoqoftë, ky përkufizim merr në konsideratë vetëm fushat metodologjike e teknologjike të elektronikës, të informatikës dhe të telekomunikacionit, pa marrë parasysh që zbatimet e TIK-ut prekin tashmë çdo sektor të shoqërisë, me të gjitha pasojat ekonomike dhe organizative mbi aftësitë, profesionalizmin, trajnimin dhe hulumtimin në të gjithë sektorin. Sot TIK-u është një nga çështjet më të rëndësishme, inovative dhe rrjedhimisht strategjike për politikën, ekonominë, sipërmarrjen, kërkimin shkencor dhe, në përgjithësi, për tërë botën e mediave me produkte dhe shërbime të reja, për rolin që mund të luajnë në zhvillimin ekonomik, të mundësive që ofron për inovacionin e bizneseve dhe për rritjen e konkurrueshmërisë së tyre, si dhe për mundësitë e punës më të kualifikuar. Rrjedhimisht, kjo sjell shumë përfitime të mundshme për përdoruesit dhe për këtë arsye për tërë shoqërinë. I gjithë sektori i TIK-ut vitet e fundit po zhvillohet jo vetëm në fusha tashmë tradicionale dhe të konsoliduara si në automatizimin industrial, robotikë, telekomunikacion, administratë publike, bio-teknologji, mjekësi, mjedis dhe energji, por edhe në shumë fusha të tjera prodhuese, tregtare dhe shoqërore, ku aftësia për të përpunuar informacionet mund të përfshihet në çdo produkt që përvetëson kështu një fizionomi dixhitale.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nuk ka kushte paraprake formale.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin V të KSHK-së. Diplomë në Shkencë Kompjuterike ose Inxhinieri Kompjuterike ose, si alternativë, diplomë e arsimit të mesëm në fushën e informatikës. Kurse formimi profesional, që mund të shoqërohen me certifikata me vlerë ndërkombëtare.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Ekziston një ofertë e gjerë dhe e artikuluar në fushat e teknologjisë së informacionit në të gjithë zinxhirin e formimit profesional, arsimit profesional teknik dhe universitar. Universitetet, shkollat Profesionale, që kanë specializime në informatikë, ofrues të licencuar/akredituar.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e vazhdueshme, sidomos për njerëz me kompetencë profesionale të dëshmuar.
Mundësitë për karrierë
Shpesh futja në punë bëhet përmes një kontrate trajnimi që mundëson një formim të mëtejshëm në vendin e punës. Me kualifikime mund të arrihet në nivele më të larta të analistit dhe projektuesit, apo në pozicione të drejtuesit të projektit dhe skuadrash. Profesionistë të suksesshëm mund të zgjedhin edhe të punojnë me porosi e projekte e të mos jenë në punësim të vazhdueshëm.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al