Bletërritës
Kodi Shqiptar i Profesionit
6124.01
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Rritës të kafshëve dhe shpendëve dhe të ngjashme me to (ISCO 612)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Prodhim bimor dhe shtazor, gjuetia dhe shërbime të lidhura me to (NACE 01)
Fjalë Kyçe
Bletë, bletari, bujqësi
Përshkrim i përgjithshëm
Bletërritësi merret me mbarështimin e familjeve të bletëve, mbledhjen dhe paketimin e produkteve të tyre (mjaltë, dyll, propolis, qumësht blete, polen, helm, verë mjalti dhe uthull mjalti). Ai është në gjendje të menaxhojë tërë procesin nga përgatitja e zgjojve deri te paketimi i produkteve. Ai mbikëqyr veprimtaritë e përzgjedhjes së zgjojve, pozicionimin e tyre, kontrollin e kushteve shëndetësore dhe higjienike të bletëve, ndërhyrjet profilaktike dhe kuruese të bletëve, nxjerrjen dhe filtrimin e mjaltit, kryen analizën shqisore dhe melisopalinologjike të mjaltit, paketimin, etiketimin dhe ruajtjen e produkteve, dezinfektimin e impianteve dhe strukturave të përdorura për përpunim.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Bletërritësi duhet të jetë në gjendje të menaxhojë mbarështimin e bletëve dhe këtu përfshihen këto veprimtari: identifikon pozicionin dhe madhësinë e përshtatshme të zgjojve; ndërton zgjoin për koloninë e bletëve; krijon kushtet higjieno-sanitare të nevojshme për mirëqënien e bletëve; mbikëqyr zhvillimin e zgjojve sipas periudhës dhe kushteve mjedisore; identifikon bletën mëmë/mbretëreshë; përzgjedh bletët më të mira. Rritësi duhet të jetë në gjendje të kryejë ndërhyrje profilaktike dhe kuruese për bletët dhe këto përfshihen këto veprimtari: identifikon shkaqet e vdekjes së bletëve; përdor metodat e profilaksiksë dhe kurimit për të siguruar shëndetin e bletëve, duke përdorur në mënyrë të sigurtë të gjitha produktet e nevojshme dhe të autorizuara; respekton procedurat dhe kohën e administrimit të produkteve, duke respektuar kohën e mbetjes dhe nxjerrjes së mjaltit për të shmangur kontaminimin e produktit. Bletërrritësi duhet të jetë në gjendje të kryejë analizën, nxjerrjen dhe përpunimin e produkteve të mjaltit dhe bletarisë dhe këtu përfshihen këto veprimtari: analizon mjaltin me sy, nuhatje dhe shijim; dallon karakteristikat fizike, biologjike dhe organoleptike të mjaltit; identifikon polenin; kontrollon llojshmërinë e lules (ngjyrën, përçueshmërinë, aciditetin, etj.); nxjerr mjaltin duke përdorur teknika dhe mjete (tymësen, kornizat) në përputhje me rregullat e prodhimit cilësor; dallon karakteristikat e rrjedhshmërisë dhe kristalizimit të mjaltit; kryen veprimet e heqjes së dyllit, nxjerrjes së mjaltit, maturimit, filtrimit dhe shkumëzimit, duke përdorur në mënyrë të sigurtë mjetet dhe makineritë e përshtatshme; kryen depozitimin dhe ruajtjen e kornizave duke kontrolluar nivelin e lagështisë.
Njohuritë e nevojshme
Aspektet higjieno-sanitare të zgjojve; përdorimi i pajisjeve dhe mjeteve për përpunimin e produkteve të mjaltit dhe bletarisë; karakteristikat fizike, kimike, biologjike, organoleptike të llojeve të ndryshme të mjaltit; shkaqet e vdekjes dhe shpopullimit të zgjojve; jeta dhe cikli riprodhues i bletëve; klasifikimi dhe karakteristikat e bletëve; fazat e prodhimit të mjaltit; metodat e analizës shqisore të mjaltit; rregulloret e bletarisë; ligjet dhe rregulloret për ndërhyrjet profilaktike dhe kuruese për parandalimin e sëmundjeve të bletëve; rregulloret për prodhimin e mjaltit dhe produkteve të bletarisë; konceptet bazë të sëmundjeve të bletëve; organizimi i zgjojve; parimet e kristalizimit të mjaltit; procedurat dhe kohën për kryerjen e ndërhyrjeve profilaktike dhe kuruese; rreziqet kimike dhe biologjike në prodhimin e mjaltit; teknikat e bletarisë; teknikat e degustimit të mjaltit.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë metodat e pozicionimit të zgjojve. Të zbatojë teknikat për ruajtjen e higjienës në zgjua. Të zbatojë teknikat për popullimin e zgjojve dhe krijimin e foleve të reja. Të përdorë kritere për të përcaktuar madhësinë dhe pozicionimin e zgjoit (burimet e nektarit, polenit, orientimit dhe sezonit). Të përdorë teknikat për zgjedhjen e bletëve më të mira. Të përdorë metodat e vëzhgimit dhe zhvillimit të zgjojve sipas periudhës dhe kushteve mjedisore. Të përdorë teknikat e njohjes së mbretëreshës së bletëve. Të zbatojë procedurat për administrimin e produkteve profilaktike dhe kuruese në përputhje me kohën e nxjerrjes së mbetjeve dhe mjaltit. Të zbatojë profilaksinë dhe teknikat e kurimit për bletët. Të përdorë kritere për të njohur sëmundjet e bletëve. Të zbatojë teknika për verifikimin e llojshmërisë së lules. Të zbatojë udhëzimet në lidhje me cilësinë e prodhimit të mjaltit. Të zbatojë teknikat e analizës me sy, me nuhatje dhe me shijim të mjaltit. Të zbatojë teknikat e numërimit dhe identifikimit të polenit. Të zbatojë teknikat e nxjerrjes dhe ruajtjes së kornizave. Të zbatojë teknika për verifikimin e karakteristikave fizike, kimike-biologjike dhe organoleptike të mjaltit dhe produkteve të bletarisë. Të zbatojë teknika manuale ose mekanike për nxjerrjen e mjaltit, maturimin, filtrimin, shkumëzimin e mjaltit. Të përdorë teknika dhe mjete për nxjerrjen e mjaltit (tymëse, korniza).
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Në përgjithësi bletërritësi kërkohet të punojë në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, si dhe si sipërmarrës i pavarur.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nuk ka kërkesa të veçanta formale.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin III të KSHK-së. Është e nevojshme që bletërritësi të kryejë një trajnim dhe të formohet nën mbikëqyrjen e bletërritësve ekspertë dhe të marrë pjesë vazhdimisht në trajnime për zgjerim dhe përditësim të dijeve.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Zakonisht shoqatat e sektorit ofrojnë mundësi trajnimi.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Mjalti dhe produktet e tjera të bletës janë gjithnjë të kërkuara dhe të vlerësuara. Prandaj edhe ky profesion do të jetë gjithnjë i kërkuar.
Mundësitë për karrierë
Kërkesa për këtë profesion është e përhershme në ndërmarrje të vogla ose si sipërmarrës më vete.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al