Modelist në industrinë e veshjeve
Kodi Shqiptar i Profesionit
8159.05
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Punëtorë të makinerive të prodhimit të tekstileve, lëkurës dhe gëzofit (ISCO 815)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Konfeksionimi i veshjeve (NACE 14)
Fjalë Kyçe
Prodhim veshjesh, konfeksione.
Përshkrim i përgjithshëm
Modelisti është ai që krijon modelin, duke marrë parasysh sugjerimet e stilistit dhe aspektet teknike të prodhimit. Kujdeset për realizimin e projekteve të modeleve të reja të propozuara nga zyra e stilimit ose për ndryshimet në modelet ekzistuese. Bashkërendon ose zbaton procesin e përpunimit të kallupeve të letrës, prodhimin e prototipeve dhe mostrave dhe inxhinierimin e produktit për fazën e prodhimit. Ai është figurë kryesore në procesin e prodhimit të veshjeve dhe realizon në praktikë idenë e stilistit; ndërtimi i modelit lejon krijimin e veshjeve si në një zinxhir industrial, ashtu edhe në rrobaqepësi. Në rrobaqepësì, përgjithësisht është rrobaqepësi që kombinon aftësitë e stilistit dhe të krijuesit të modeleve duke krijuar veshje unike. Ndërsa në kontekste industriale, të vogla, të mesme apo të mëdha, ideja e propozuar nga stilisti përkthehet në një model nga kjo figurë profesionale, për t’u realizuar më pas si prototip duke e përgatitur në detaje për prodhimin në seri. Prandaj, modelisti duhet të jetë në gjendje të interpretojë idenë e stilit duke marrë parasysh karakteristikat e prodhimit industrial për të optimizuar procesin.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
7 Veprimtaritë/përgjegjësitë kryesore Modelisti duhet të jetë i aftë të krijojë kallupin e një veshjeje dhe këtu përfshihen këto veprimtari: lexon dhe kupton kontributin krijues të stilistit në të gjithë format dhe përbërësit e ndryshëm; përkthen idenë stilistike në linja të mundshme të zhvillimit të modelit të veshjeve; kupton karakteristikat specifike dhe funksionale të modelit; parashikon karakteristikat e veshjes dhe përshtatshmërinë e saj; kupton format dhe përmasat; përcakton detajet e ndërtimit në lidhje me strukturën dhe formën e identifikuar; përcakton karakteristikat strukturore të mostrës për të garantuar realizimin e saj; kthen cilësitë morfologjike dhe funksionale në elemente të paraqitjes grafike; realizon një kallup me dorë ose me ndihmën e programeve kompjuterike (CAD), me përmasat dhe matjet sipas teknikave të modelimit; harton skedën teknike të modelit të veshjeve; përdor dokumentacionin teknik të produktit.
Modelisti duhet të jetë i aftë të kryejë vlerësimin e përshtatshmërisë së mostrës së veshjes dhe këtu përfshihen këto veprimtari: zgjedh materialet dhe teknologjitë e prodhimit në përputhje me specifikat e modelit; lexon sjelljet e kushtëzuara dhe reaktive të përbërësve të veshjes në realizimin e prototipit dhe vlerëson përshtatshmërinë e modelit; zbulon problemet teknike dhe krijuese gjatë fazës së krijimit të prototipit duke bërë ndryshimet e sugjeruara ose të nevojshme për të arritur nivelin e duhur të përshtatjes; dallon nivelin e përputhshmërisë teknike të mostrës së veshjes me kërkesat strukturore dhe funksionale të modelit; shndërron të dhënat/informacionet e prodhimit të prototipit në ndryshime projekti të modelit të veshjeve.
Modelisti duhet të jetë në gjendje të bëjë projektimin teknik të modelit të një veshjeje dhe këtu përfshihen këto veprimtari: merr sugjerimet e stilistit për ndryshimet që duhen bërë për mostrat dhe verifikon realizueshmërinë e tyre; përfundon modelin sipas varianteve që do të paraqiten në mostra duke zhvilluar modelet sipas masave të porositura; plotëson dhe verifikon saktësinë e dokumentacionit teknik shoqërues; mbledh dhe vlerëson sugjerimet ose kërkesat për ndryshime nga punonjësi që realizon prototipin e veshjes dhe kryen ndryshimet përkatëse; vlerëson, së bashku me stilistin dhe përgjegjësin e zhvillimit të produktit, rezultatin përfundimtar dhe promovon veprime të nevojshme korrigjuese ose përmirësuese; bën ndryshime në modelin dhe dokumentacionin teknik deri në përgatitjen e skedës teknike dhe të listës përfundimtare të materialeve të nevojshme, të vlefshme për prodhimin e mostrave; zbaton metoda për vlerësimin e konformitetit të proceseve të prodhimit të veshjeve me reagimin e tekstilit; përdor metodat e vlerësimit të konformitetit të procesit të prodhimit me modelin e ri të veshjeve; përdor dokumentacionin teknik të produktit. LKP, pune hulumtueses, pershkrim per profesione te ngjashme, pershkrim i posacem, takime per validimin
Njohuritë e nevojshme
Aksesorët për veshje; vizatimi teknik; elementë të anatomisë njerëzore; elementë të gjeometrisë; elementë të mallrave të tekstilit; procesi i projektimit dhe zhvillimit të produktit në sektorin e veshjeve; produktet e sektorit të modës; programe kompjuterike për krijimin e tekstilit/veshjeve për paraqitjen grafike dydimensionale); teknologjitë dhe proceset e prodhimit të veshjeve; materialet e copave (të tekstilit); llojet e veshjeve.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë teknikat e prodhimit të veshjeve në tekstil.
Të zbatojë teknikat e krijimit dhe zhvillimit të modeleve të modës.
Të zbatojë teknikat e krijimit në manekin.
Të zbatojë teknikat e vizatimit të figurës njerëzore.
Të zbatojë teknikat e vizatimit dy- dhe tredimensional.
Të zbatojë teknikat e modelimit dhe realizimit të masave për veshje.
Të përdorë arkivat e koleksioneve të modës.
Të përdorë programet kompjuterike të vizatimit (CAD).
Të zbatojë kriteret e përshtatjes së materialit/ngjyrave.
Të zbatojë kriteret e menaxhimit të tabelave të ngjyrave.
Të zbatojë kriteret për të kontrolluar karakteristikat e copave të rrobave të prera sipas skedës teknike.
Të zbatojë metodat e vlerësimit të konformitetit të aksesorëve.
Të zbatojë metodat për vlerësimin e një veshjeje për përshtatshmërinë e saj në trup.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Ai mund të veprojë si i punësuar ose i vetëpunësuar. Si i punësuar ai punon në ndërmarrje të madhësive të ndryshme të sektorit të veshjeve. Modelisti është pjesë e repartit të projektimit dhe modelimit. Në përgjithësi funksionon brenda grupeve të punës ose në lidhje të ngushtë me role të tjera. Si punonjës i pavarur, ai e ushtron profesionin me kontrata afatshkurtra me ndërmarrjet ose stilistët. Edhe në këto raste ai punon në kontakt të ngushtë me figurat e tjera në zinxhirin e prodhimit.
Kërkesat për hyrje në profesion
Nuk ka kërkesa të veçanta formale.
Kualifikimet e nevojshme profesionale
Kualifikime profesionale në nivelin IV të KSHK-së. Për këtë lloj profesioni kërkohet një bazë njohurish të marra në kurse trajnimi dhe një përvojë e pasur e fituar në këtë fushë ose në sektorin e veshjeve ose të rrobaqepësisë. Përvoja shkollore plotësohet me një trajnim të specializuar në modelim dhe nga përvoja e punës relativisht e gjatë, në varësi edhe të nivelit bazë të përgatitjes dhe të kërkesave të ndërmarrjes.
Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat e mesme profesionale.
Qendrat e formimit profesional.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Është një profesion gjithnjë i vlerësuar.
Mundësitë për karrierë
Zakonisht modelisti ushtron profesionin e tij si i punësuar. Në këtë profesion mund të futesh si ndihmës apo në një funksion tjetër në prodhimin e veshjeve. Me përvojë dhe kualifikime mund të arrihet në pozicionin e modelistit. Persona me një nivel të lartë të kompetencës dhe të afirmuar në sektor mund të zgjedhin të punojnë si profesionistë të lirë.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al