Auditor financiar
Kodi Shqiptar i Profesionit
2411.01
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Profesionistë Financierë (ISCO 241)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Aktivitete juridike dhe të kontabilitetit (NACE 69)
Fjalë Kyçe
Financë, audit, pasqyra financiare, konsulencë financiare, auditim financiar.
Përshkrim i përgjithshëm
Auditori i brendshëm kryen kontrollin e brendshëm të llogarive të një ndërmarrjeje. Nëpërmjet punës së tij ai zhvillon mjete analize për secilin sektor për të riorganizuar rrjedhën e punës në mënyrë më efektive. Ai siguron analiza, të dhëna, prirje dhe informacione mbi veprimtaritë e analizuara. Veprimtaria e tij mund të ndahet në kontrollin e kostove (për të verifikuar korrektësinë e kontabilitetit të kostos) dhe në kontrollin e menaxhimit, për të verifikuar eficiencën dhe efikasitetin e zgjedhjeve të menaxhimit. Auditori i brendshëm kontrollon kontabilitetin dhe menaxhimin e ndërmarrjes, duke nxjerrë në pah çështje kritike, të cilat mund të vihen në dukje edhe në raportin e burimeve të përdorura jo në përpjesëtimin e duhur me rezultatet e arritura.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Auditori financiar duhet të jetë në gjendje të hartojë një sistem të kontrollit të brendshëm dhe këtu përfshihen këto veprimtari: identifikon dhe vlerëson proceset e biznesit; vlerëson efikasitetin e secilit proces të biznesit; përcakton kontrollet e nevojshme brenda proceseve të biznesit; identifikon faktorët e rrezikut të proceseve; harton veprimet për auditim të brendshëm, sipas karakteristikave dhe nevojave të ndërmarrjes. Auditori financiar duhet të jetë në gjendje të auditojë një sistem të kontrollit të brendshëm dhe këtu përfshihen këto veprimtari: analizon sistemin e kontrollit të brendshëm, duke kontrolluar përputhshmërinë e procedurave; kontrollon efikasitetin e procedurave të kontrollit të brendshëm; vlerëson pasojat që ka sistemi i kontrollit të brendshëm për auditin e jashtëm. Auditori financiar duhet të jetë në gjendje të kryejë një audit të brendshëm dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kryen një analizë të auditit të mëparshëm dhe verifikon faktorët e riskut; harton një plan auditi duke marrë parasysh synimet e auditit dhe shtrirjen e auditit; kryen veprimtari audituese; paraqet raportet për rezultatet nga auditi i kryer.
Njohuritë e nevojshme
Pasqyrat financiare, e drejta administrative; legjislacioni për tregtarët dhe shoqëritë tregtare; legjislacionin tatimor; elementë të legjislacionit për tregjet financiare; legjislacioni për mbrojtjen e të dhënave; normativat dhe korniza rregullatore për qeverisjen e shoqërive tregtare; organizimi i shoqërive; parimet dhe metodat e kontrollit të menaxhimit; parimet dhe metodat e kontrollit të brendshëm; parime dhe metoda për menaxhimin e riskut; teknikat e auditimit; teknikat e menaxhimit kontabël dhe financiar; shkrimet kontabël, libri kontabël dhe regjistrimi i dyfishtë.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë kriteret për përcaktimin e treguesve të efikasitetit. Të zbatojë metodologjitë për optimizmin e proceseve. Të zbatojë teknikat e analizës së pikave kritike të procesit. Të zbatojë teknikat e analizës së procedurave. Të zbatojë teknikat e analizës së proceseve të biznesit. Të zbatojë teknikat e planifikimit të burimeve dhe të mjeteve. Të zbatojë teknikat e drejtimit të proceseve. Të zbatojë metoda të kontrollit të procedurës së kontabilitetit. Të zbatojë teknikat e analizës së proceseve administrative. Të zbatojë teknikat e analizës organizative. Të zbatojë teknikat e kontrollit të menaxhimit. Të zbatojë teknikat e formulimit të pyetësorëve për auditim. Të zbatojë metodat e testimit (auditimi i brendshëm). Të zbatojë teknikat e auditimit. Të zbatojë teknikat e planifikimit të auditimit. Të zbatojë teknikat e hartimit të raporteve të auditimit. Të përdorë programin ERP (Enterprise Resource Planning). Të përdorë mjete statistikore për auditimin e brendshëm.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Auditori i brendshëm ushtron veprimtarinë e tij në ndërmarrje, banka, shoqëri sigurimesh ose organe publike. Përgjithësisht ai është i punësuar me kohë të plotë nga ndërmarrja, në të cilën vepron, duke pasur parasysh natyrën delikate të të dhënave që përpunon. Ai punon me drejtuesit e ndërmarrjes dhe drejtuesit e sektorëve të ndryshëm, duke bashkëpunuar vazhdimisht me departamentin administrativ, financiar dhe buxhetor. Është e nevojshme të ketë jo vetëm aftësi menaxheriale për të interpretuar proceset organizative dhe menaxheriale, por edhe një përgatitje të mirë tekniko-shkencore, së bashku me një përvojë të konsoliduar.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nevojitet arsim bazë dhe një formim i specializuar. Në varësi të vendit të punës dhe përgjegjësive të lidhura me të, mund të kërkohen kualifikime kombëtare ose ndërkombëtare për audit të brendshëm financiar.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin V të KSHK-së. Kërkohet një diplomë në ekonomi ose juridik. Për të përparuar në karrierë, është shumë e rëndësishme të arrihet kualifikimi si Auditor i Brendshëm të Certifikuar (Certified Internal Auditor - CIA), i cili njihet në nivel ndërkombëtar. Ndjekja e një Masteri së bashku me praktikën në ndërmarrje lehtëson hyrjen në këtë pozicion.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat e Mesme Teknike-Ekonomike. Universitete publike e private, fakultetet e ekonomisë. Ofrues privatë të kurseve profesionale.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e përhershme.
Mundësitë për karrierë
Në përgjithësi, pas disa viteve në nivel fillestar ndihmës-auditor mund të vijë rritja profesionale drejt pozicioneve auditor dhe më pas kryeauditor e deri në pozicione drejtuese.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al