Dizenjues grafik dhe në multimedia
Kodi Shqiptar i Profesionit
2166.04
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Arkitektë, projektues, studiues dhe dizenjues (ISCO 216)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Aktivitete të tjera profesionale, shkencore dhe teknike (NACE 74)
Fjalë Kyçe
Grafikë, dizenjues, grafist, arte krijuese, multimedia, graphic design.
Përshkrim i përgjithshëm
Dizenjuesi grafik është një profesionist krijues që komunikon me imazhe, duke i krijuar dhe realizuar ato në letër ose në mënyrë dixhitale. Qëllimi kryesor i këtij profesioni është të përmbushë pritshmëritë e klientit në mënyrë krijuese duke shndërruar e përpunuar imazhet e realitetit, ose duke i paraqitur ato në mënyrë realiste, ose vetëm simbolikisht, në varësi të kërkesave të klientit. Fushat profesionale ku ai ushtron veprimtarinë janë të shumta: në botime periodike dhe ditore; në letërsi për të rritur dhe fëmijë (deri në krijimin e plotë të një libri), ose në fushën e librave tredimensionale. Dizenjuesi grafik dhe në multimedia mund të krijojë imazhe të hollësishme për botime tekniko-shkencore, të punojë për botime fantastike ose të krijojë imazhe për reklamim. Për ilustrimet e tij ai përdor teknikat tradicionale të vizatimit (lapsa, lapsa pastel, tempera, akrilikë, furçë ajri, vizatim me linja, teknika të përziera, etj.). dhe / ose teknika me kompjuter (animacion kompjuterik) nëse i kërkohet të krijojë imazhe dinamike për reklama ose filma të animuar. Është thelbësore që ilustruesi të ketë për frymëzim një arkiv personal me imazhe, pasi mund t'i kërkohet të vizatojë objekte, mjedise dhe karaktere nga më të ndryshmet.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Dizenjuesi grafik dhe në multimedia duhet të jetë në gjendje të krijojë një projekt ilustrimi dhe këtu përfshihen këto veprimtari: identifikon pritshmëritë dhe nevojat për komunikim të klientit (natyrën e mesazhit që do të ilustrohet në reklamë, llojin e produktit për botim – p.sh. libër shkencor, fantastik, për fëmijë - ose të produktit multimedial – p.sh. faqe interneti, botim elektronik, animim; përvetëson informacion mbi përmbajtjen e produktit për botim ose të fushatës reklamuese; kupton udhëzimet specifike të fushatës reklamuese ose të redaktorit përgjegjës për këtë produkt për botim; përcakton me përgjegjësin e botimit numrin e ilustrimeve, formatin, ngjyrat, përmasën; paraqet propozime sintetike të projektit ilustrues/animues. Dizenjuesi grafik dhe në multimedia duhet të jetë në gjendje të vizatojë dhe ngjyrosë ilustrime dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kompozon në detaje ilustrimin si mjedisin, personazhet, ngjyrat, stilin; vizaton me laps në fletë/karton; përdor teknika manuale për ngjyrosjen e figurës (laps, pastel, tempera, akrilikë, aerograf) ose nxjerr vizatimin nga skaneri dhe e ngjyros atë përmes teknikave dixhitale (me programe të posaçme kompjuterike siç janë Photoshop dhe të tjera të ngjashme); verifikon me klientin ose me përfaqësuesit e projektit cilësinë e ilustrimit dhe përputhshmërinë me kontekstin e faqosjes (ngjyrat, paraqitjen, imazhe të tjera të pranishme); bën ndryshime në ilustrim (format, ngjyra, llojin e personazheve, etj.). Dizenjuesi grafik dhe në multimedia duhet të jetë në gjendje të krijojë një vizatim ose animacion dixhital dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kompozon në detaje ilustrimin (mjedisin, personazhet, ngjyrat, stilin); vizaton ilustrimin me tavolinën e lidhur me kompjuterin; ngjyros vizatimin përmes teknikave dixhitale (programe të posaçme kompjuterike siç janë Photoshop dhe të tjera të ngjashme); animon vizatimin duke përdorur programe për prodhimin e animacioneve (Illustrator, Flash dhe të ngjashme); u paraqet vizatimin/animacionin dixhital porositësve të produktit (drejtorit artistik apo klientit); pranon dhe kryen çdo ndryshim të kërkuar nga klienti.
Njohuritë e nevojshme
Artet pamore, vizatimi artistik, vizatimi i realitetit (në natyrë, me model), elementë të grafikës krijuese, elementë të ilustrimit, grafika e reklamave, historia e pikturës, historia e artit, elementë të historisë së arteve dytësore, metodat e paraqitjes grafike dhe të simulimit tredimensional, semiotika pamore, figurative dhe plastike, historia e teknikave artistike, teoria e ngjyrave.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë metodologjitë e krijimit artistik të ngjyrës. Të zbatojë metodologjitë e ideimit artistik të vizatimit. Të përdor metodologjitë e kërkimit ikonografik. Të zbatojë teknikat e harmonisë së ngjyrave. Të përdorë teknikat e këshillimit dhe hulumtimit në bazëne e të dhënave fotografike. Të zbatojë teknikat e vizatimit artistik. Të zbatojë teknikat e zhvillimit të të menduarit krijues. Të zbatojë teknikat e vizatimit të figurës njerëzore. Të zbatojë teknikat grafike të përkthimit krijues. Të përdorë teknikat e vizatimit gjeometrik. Të përdorë teknikat e vizatimit tredimensional. Të zbatojë teknikat e grafikës reklamuese. Të përdorë skanerin. Të përdorë mjetet për vizatim. Të përdorë programe kompjuterike për animime. Të përdorë programe kompjuterike për përpunimin dhe retushimin e imazheve. Të përdorë programe kompjuterike për rendering. Të përdorë programe kompjuterike për dizenjim të faqeve të internetit.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Puna e dizenjuesit grafik dhe në multimedia, qoftë si profesionist i lirë ose si i punësuar lidhet me botimin (shtëpitë botuese), reklamimin (agjencitë dhe studiot e reklamave) dhe kinemanë e animacionit. Ndërkohë ilustruesit anatomik mund të gjejnë punë në institutet universitare dhe laboratorët, në botimet e specializuara, në laboratorët e materialeve didaktike. Në shtëpitë botuese ilustruesi shpesh punon sipas kontratës për transferimin e të drejtave të autorit dhe koordinohet nga redaktori, përgjegjësi për botimin nën mbikëqyrjen e drejtorit artistik. Në agjencitë e reklamave ai ndjek direktivat e drejtorit artistik të fushatës dhe personit përgjegjës që menaxhon marrëdhëniet me klientin. Oraret e punës nuk janë fikse, pasi puna zhvillohet më së shumti sipas afateve të dorëzimit. Puna bëhet kryesisht në shtëpi ose në studio private. Në fushën botuese ai përdor kryesisht vizatimin me dorë të lirë me lapsa dhe ngjyra mbi fletë letre ose kartoni, të skanuara më pas nga redaksia gati për faqosje. Dizenjuesit, të cilët veprojnë kryesisht në sektorin e reklamave dhe prodhimit multimedial, mund të përdorin tabletë për grafikë të lidhura me kompjuterin dhe programe specifike për përpunimin e imazheve të krijuara. Në shtëpitë botuese pagesa korrespondon me një shumë fikse për secilën faqe botimi të ilustruar, në agjencitë e reklamave dhe të ndërtimit të faqeve në internet puna paguhet për projekt dhe ndryshon në bazë të numrit të ilustrimeve dhe kompleksitetit të tyre. Aspekti artistik i veprës, - i rëndësishëm për krijimin e produkteve krijuese dhe inovative -, lidhet ngushtë edhe me aftësinë për t'u përshtatur me kërkesat e ndryshme të klientëve dhe interpretimin e nevojave të tyre të reflektuara në mënyrë efektive në ilustrim. Për dizenjuesit, metoda më e përdorur e qasjes me botën e punës është ajo tradicionale, e prezantimit - së bashku me jetëshkrimin -, të "portofolit" si në versionin letër ashtu edhe në atë elektronik (për produktet e bëra me grafikë kompjuterike), te ndërmarrjet e interesuara. Ky prezantim ka për qëllim gjithashtu mundësinë për një praktikë profesionale, e cila i lejon atij të pasurojë përvojën profesionale.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nuk ka kërkesa të posaçme.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin IV të KSHK-së. Përvoja në këtë sektor është një kërkesë e domosdoshme për rritjen profesionale, megjithatë është e këshillueshme që dizenjuesi grafik të ketë edhe diplomë të në fushën e arteve grafike të lëshuar nga shkollat e artit ose shkollat e mesme artistike të specializuara në artet grafike (p.sh. akademitë e Arteve të Bukura, shkollat e mesme artistike, qendra private të specializuara), në të cilat është e mundur të merrni trajnimin bazë të domosdoshëm për të ndërmarrë këtë profesion.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat e mesme artistike Universiteti i Arteve Ofrues privatë të kurseve profesionale
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e përhershme.
Mundësitë për karrierë
www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al