Kontabilist
Kodi Shqiptar i Profesionit
2411.02
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Profesionistë Financierë (ISCO 241)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Aktivitete juridike dhe të kontabilitetit (NACE 69)
Fjalë Kyçe
Fjalë kyçe Kontabilitet, pasqyra financiare, konsulencë financiare, auditim financiar
Përshkrim i përgjithshëm
Kontabilisti merret me trajtimin kontabël të transaksioneve ekonomike pasurore dhe financiare të ndërmarrjes, bazuar në normativat në fuqi, dhe harton pasqyrat financiare. Ai kryen regjistrimin e çdo lëvizjeje që lidhet me kontabilitetin (të dhënat themelore të kontabilitetit, mbajtjen e regjistrave të detyrueshëm, hartimin e pasqyrave financiare, detyrimet tatimore dhe kontributet shoqërore), duke respektuar detyrimet ligjore në çështjet civile-fiskale. Monitoron menaxhimin korrekt të procedurave të kontabilitetit dhe ato tatimore dhe përgatit raporte për gjendjen e kontabilitetit për drejtuesit e ndërmarrjes. Fushat e specializimit janë kontabiliteti i klientit, kontabiliteti i furnizuesit dhe kontabiliteti i përgjithshëm, prandaj emërtimet specifike mund të ndryshojnë sipas shkallës së mbikëqyrjes së proceseve të kontabilitetit dhe sipas përmasave organizative (përgjegjësi i kontabilitetit, kryellogaritari etj.).
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Kontabilisti duhet të jetë në gjendje të bëjë regjistrime kontabël dhe këtu përfshihen këto veprimtari: bën regjistrimin e fakteve kryesore të kontabilitetit që rrjedhin nga veprimtaria e biznesit, identifikon dhe përcakton udhëzimet dhe procedurat për trajtimin kontabël të transaksioneve; zbaton rregullat themelorë të përcaktuar nga e drejta civile dhe parimet e kontabilitetit për mbajtjen e llogarisë; krijon planin kontabël sipas qëllimit, logjikës së përgjithshme, kritereve të projektimit, lidhjeve me deklarimet financiare dhe tipologjisë së ndërmarrjes; përdor teknikat e përgjithshme të kontabilitetit (mbajtjen e pasqyrës së të ardhurave, rishikimin e bilancit kontabël, mbajtjen e afateve, etj.). Kontabilisti duhet të jetë i aftë të menaxhojë detyrimet tatimore dhe të sigurimeve shoqërore dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kryen regjistrime në lidhje me kontabilitetin e klientit dhe të furnizuesit duke bërë çdo korrigjim të nevojshëm; kryen pagesa duke respektuar objektivat/kriteret tatimore, duke verifikuar përputhjen midis çeqeve/parapagesave të marra; përcakton dhe klasifikon zërat e faturës sipas treguesve të grafikut të llogarive; shqyrton dhe menaxhon ndikimin e legjislacionit tatimor në zërat kryesorë të pasqyrave financiare (regjimet dhe detyrimet në lidhje me TVSH-në dhe taksat direkte në të ardhurat e biznesit); kryen regjistrime periodike të kontabilitetit dhe të tatimeve dhe çdo korrigjim tjetër. Kontabilisti duhet të jetë i aftë të hartojë pasqyrat financiare dhe këtu përfshihen këto veprimtari: përdor metodat për mbylljen dhe përgatitjen e pasqyrave financiare në përputhje me rregulloret civile dhe të taksave; përdor teknikat për përpunimin e riklasifikimeve dhe për llogaritjen e zërave të bilancit; kontrollon për ndonjë anomali dhe mospërputhje në trajtimin e të dhënave administrative dhe kontabël; përdor librat e shitjeve për të kaluar vlerat në llogari kontabël dhe zbaton parimet e vlerësimit dhe të përdorimit të deklarimeve financiare.
Njohuritë e nevojshme
Respektimi i afateve fiskale, deklarimet e TVSH-së, pasqyra e të ardhurave, pasqyrat e shpenzimeve, bilanci i konsoliduar, e drejta civile, e drejta tregtare, legjislacioni mbi taksat dhe tatimet, administrimi i biznesit, sistemi tatimor, parimet dhe metodat e llogaritjes së tatimeve, menaxhimi kontabël-fiskal i amortizimeve dhe i gjendjes së magazinës, metodat e organizimit të planit të llogarive, legjislacioni i tatimeve dhe taksave, legjislacioni mbi sigurimet shoqërore, parimet e përgjithshme të kontabilitetit, mbajtja e llogarive, financë, regjistrimet kontabël, standardet ndërkombëtare të sistemeve të kontabilitetit dhe të raportimit, teknikat e konsolidimit (bilanci i konsoliduar), teknikat e planifikimit të veprimtarive, fjalori teknik fiskal.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme Të zbatojë metodologjinë për organizmin e llogarive kontabël. Të zbatojë procedurat për regjistrimin e dokumenteve të kontabilitetit. Të zbatojë teknikën e regjistrimit kontabël (regjistrim i dyfishtë). Të zbatojë teknikat e planifikimit të veprimtarive të kontabilitetit. Të zbatojë metodat e llogaritjes së tatimit. Të zbatojë procedurat për menaxhimin e afateve kontabël dhe të taksave. Të zbatojë procedurat për llogaritjen e kontributeve dhe të taksave. Të zbatojë procedurat e administrimit të detyrimeve të TVSH-së. Të zbatojë procedurat e administrimit të tatimeve mbi të ardhurat. Të zbatojë procedurat për menaxhimin e pagesave. Të zbatojë procedurat për trajtimin e pagesave pezull dhe të ankesave. Të zbatojë teknikat e planifikimit të veprimtarive. Të zbatojë procedurat për nxjerrjen e bilancit. Të përdorë teknikat e hartimit të pasqyrave financiare. Të përdorë teknikat e hartimit për pasqyrat financiare të konsoliduara. Të përdorë programe kompjuterike për kontabilitetin. Të përdor programe kompjuterike të llojit ERP (Enterprise Resource Planning). Të përdorë programe tabelare të llojit Microsoft Excel ose të ngashme. Të përdorë programe kompjuterike të menaxhimit administrativ. Të përdorë programe kompjuterike të bankingut për pagesa elektronike. Të përdorë metodat e përpunimit të të dhënave të kontabilitetit. LKP, pune hulumtueses, pershkrim per profesione te ngjashme, pershkrim i posacem, takime per validimin
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Konteksti në të cilin operon kontabilisti është përgjithësisht në drejtimin administrativ të ndërmarrjes. Ai është pjesë e administrimit dhe e kontabilitetit të ndërmarrjeve të të gjitha madhësive dhe në të gjithë sektorët e prodhimit. Kontabilisti është figura më tipike dhe tradicionale e nëpunësit të zyrës dhe është profesioni më i shpeshtë në fushën e veprimtarive të kontabilitetit administrativ. Sidoqoftë, sot ky profesion nuk është më ajo e llogaritarit që plotësonte manualisht librat e llogarive, por e atij që regjistron, analizon, raporton dhe përpunon të dhëna në programe kompjuterike tabelare dhe programe të posaçme kompjuterike. Për më tepër, përhapja e sistemeve anglo - saksone të kontrollit të menaxhimit dhe kontabilitetit analitik gjithashtu kërkon njohuri mbi buxhetin dhe kontrollin e menaxhimit në këtë profesion.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nevojitet arsim bazë dhe një formim i specializuar. Në varësi të vendit të punës dhe përgjegjësive të lidhura me të, mund të kërkohen tituj kombëtarë si Kontabël i Miratuar apo ndërkombëtarë si ACCA.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin V të KSHK-së. Ky profesion në përgjithësi arrihet pas formimit profesional dhe arsimor, nëpërmjet shkollës së mesme, studimeve universitare ose specializimeve pasuniversitare në kontabilitet dhe administrim biznesi. Përveç njohurive posaçme në kontabilitet, është i nevojshëm përditësimi me legjislacionin tatimor, zotërimi i njohurive të përgjithshme në lidhje me administrimin e biznesit. Kërkohet njohja e përdorimit të pajisjeve të zyrës, internetit, programeve kompjuterike dhe aplikacioneve nga rrjeti për menaxhimin administrativ të ndërmarrjeve.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat e Mesme Teknike-Ekonomike. Universitete publike e private, fakultetet e ekonomisë. Ofrues privatë të kurseve profesionale.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e përhershme.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës në zyrat e financës dhe kontabilitetit në ndërmarrje, ose në studiot e kontabilitetit. Me kualifikime mund të arrihet në nivele drejtuese. Mbas viteve përvojë, kontabilistë të suksesshëm mund të zgjedhin edhe të punojnë si konsulentë të jashtëm apo të hapin studiot e veta të kontabilitetit.
Adresa të dobishme
www.ikm.org.al; www.accaglobal.com; www.ikaf.org; www.shkfsh.org; www.arsimi.gov.al; www.financa.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al