Agronom
Kodi Shqiptar i Profesionit
2133.02
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Specialistë të shkencave të jetës (ISCO 213)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Prodhim bimor dhe shtazor, gjuetia dhe shërbime të lidhura me to (NACE 01)
Fjalë Kyçe
Bujqësi, kultura bujqësore, fermë, pylltari
Përshkrim i përgjithshëm
Agronomi merret me prodhimin dhe menaxhimin e ndërmarrjes bujqësore për sa i përket organizimit, zbatimit të procedurave dhe vlerësimit të rezultatit duke identifikuar mundësitë e zhvillimit. Veprimtaritë që kryen përfshijnë kultivimin e tokës, pylltarinë, mbarështimin e kafshëve dhe veprimtari të lidhura me këto: trajtim, ruajtje, përpunim, tregtim dhe përmirësim i produkteve të përftuara; furnizim i mallrave ose shërbimeve duke përdorur pajisje ose burime të ndërmarrjes, duke përfshirë veprimtaritë për shtimin e vlerës së territorit e të trashëgimisë rurale dhe pyjore, shërbime të mikpritjes, dhe veprimtari të bujqësisë si biznes.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Agronomi duhet të jetë në gjendje të zgjedhë kategorinë e prodhimit të ndërmarrjes dhe të menaxhojë veprimtarinë bujqësore. Këtu përfshihen këto veprimtari: vlerëson gjendjen, tipologjinë dhe cilësinë e territorit, zgjedh teknikat e menaxhimit të tokës, zgjedh metodën e mbjelljes së kulturave bujqësore, identifikon llojet dhe tipologjitë e kulturave për mbjellje, planifikon korrjen dhe rotacionin e prodhimeve, planifikon fekondimin, ujitjen, kontrollin e barërave të këqija dhe krasitjen, monitoron gjendjen shëndetësore të të korrave dhe ndërhyrje të mundshme për mbrojtje të integruar ose biologjike, vlerëson shkallën e pjekurisë për programimin e vjeljes, kryen kontrolle klimaterike në mjediset e mbrojtura, vlerëson nevojat infrastrukturore, përgatit ruajtjen dhe magazinimin e produkteve ushqimore dhe rezervave, identifikon situatat e rrezikut të mundshëm ndaj shëndetit, sigurisë dhe mjedisit.
Agronomi duhet të jetë në gjendje të menaxhojë burimet prodhuese të ndërmarrjes bujqësore dhe këtu përfshihen këto veprimtari: vendos objektivat e prodhimit që duhet të arrihen bazuar në specifikat e territorit, planifikon, organizon dhe mbikëqyr fazat e punës dhe monitoron veprimtarinë, zbaton kritere për caktimin e detyrave, metodat e veprimit, kohën dhe radhën e kryerjes së veprimtarive, identifikon çështjet ekzekutive, analizon kostot dhe vlerëson përshtatshmërinë ekonomike të prodhimit bujqësor, kryen blerjet e materialeve e të lëndëve të para, vlerësojë investimet përkatëse për makineritë, pajisjet, strukturat, identifikon tregun e produktit, identifikon strategjitë tregtare të shitjes, kryen veprimtaritë administrative dhe kontabël, monitoron dhe vlerëson rezultatet ekonomike.
Agronomi duhet të jetë në gjendje të menaxhojë mbarështimin e kafshëve dhe këtu përfshihen këto veprimtari: identifikon kushtet mjedisore (strukturat dhe strehimet) dhe ushqimore optimale për mirëqenien dhe nevojat e kafshëve, identifikon dhe përzgjedh speciet që do të merren për mbarështim, kontrollon shëndetin e kafshëve, kujdeset për ushqimin e tyre, kujdeset dhe mbikëqyr kafshët, kryen pastrimin dhe higjienizimin e kafshëve, kryen larjen, pastrimin dhe higjienizimin e makinerive, sistemeve dhe mjediseve, largon ujërat e zeza dhe mbeturinat organike sipas rregullave të mbrojtjes së mjedisit, programon blerjet, programon ndërhyrjet që kanë të bëjnë me riprodhimin, mbikëqyr veprimtaritë e grumbullimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së produkteve nga mbarështimi i kafshëve.
Njohuritë e nevojshme
Detyrimet dhe afatet fiskale në fushën e bujqësisë, njohuri agronomike, cikli i prodhimit të bimëve të farave, kultivimi në serra, normativat e prodhimit në sektorin agroushqimor, kontabilitet dhe kontroll menaxherial, kontratat në sektorin e bujqësisë, njohuri mbi ekonominë bujqësore, marketing, legjislacioni për fermat, pedologji, zooteknikë, nevojat ushqimore të kafshëve të mbarështimit në format e ndryshme të prodhimit, burimet e financimit në fushën bujqësore, higjiena e mbarështimit dhe e prodhimeve zooteknike, tregu i produkteve bujqësore, metodat e ruajtjes së produkteve të hortikulturës dhe kopshtarisë, metodat e prodhimit organik, metodat e prodhimit të integruar dhe biodinamik, legjislacionin në lidhje me mbarështimin dhe mirëqenien e kafshëve, normativat për mbrojtjen e mjedisit në sektorin e zooteknikës, normativat për parandalimin e aksidenteve në sektorin e bujqësisë, organizimi i ndërmarrjeve bujqësore, patologjitë kryesore të bimëve, procesi i zinxhirit agroushqimor, sistemet e çmimeve të produkteve, sistemet tradicionale të prodhimit bujqësor, teknikat e mbarështimit të kafshëve, teknikat e kultivimit të bimëve frutore, teknikat e kultivimit të bimëve, teknikat e shitjes, mbajtja e regjistrave të veprimtarive.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë metodat e kontrollit të sistemit të prodhimit bujqësor.
Të zbatojë teknikat e analizës së terrenit.
Të zbatojë teknikat e përcaktimit të ciklit të kultivimit.
Të zbatojë teknikat e fekondimit organik.
Të zbatojë teknikat e menaxhimit të një pemishteje.
Të zbatojë teknikat e planifikimit të veprimtarive.
Të zbatojë teknikat e parandalimit dhe trajtimit të fitopatologjive.
Të përdorë teknikat e kultivimit në fushë ose në mjedise të mbrojtura.
Të zbatojë metodat e menaxhimit të afateve që lidhen me taksat dhe kontabilitetin.
Të zbatojë procedurat për përgatitjen e dokumenteve të blerjeve ose shitjeve, porosive dhe faturave.
Të zbatojë teknikat për të analizuar nivelet e konsumit dhe nevojat për materiale dhe pajisje në sektorin e bujqësisë.
Të zbatojë teknikat e analizës së rendimentit ekonomik.
Të zbatojë teknikat e ndërveprimit me klientin.
Të zbatojë teknikat për identifikimin e mundësive në treg.
Të zbatojë teknikat e vlerësimit të investimeve.
Të zbatojë teknikat për analizën “kosto-përfitim”.
Të përdorë programe për menaxhimin administrativ.
Të përdorë instrumentat për pagesat dhe arkërtimet (çeqe, fatura bankare, transferta).
Të përdorë teknika për përcaktimin e çmimeve.
Të zbatojë kriteret e programimit të prodhimit blegtoral.
Të zbatojë teknikat dhe metodat për mbarështim.
Të zbatojë teknikat dhe metodat e profilaksisë dhe kujdesit ndaj kafshëve.
Të zbatojë teknikat dhe praktikat për prodhimin duke ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve dhe të konsumatorëve.
Të zbatojë teknikat për formulimin e racionit ushqimor.
Të përdorë mjete për higjienizimin e mjediseve të mbarështimit.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Tekniku agronom kryen veprimtarinë e tij, kryesisht në mënyrë të autonome, duke punuar në ndërmarrje të vogla shpesh me natyrë familjare. Në ndërmarrjet e mëdha, ai mund të jetë i punësuar me funksione mbështetëse në menaxhimin e biznesit.
Kërkesat për hyrje në profesion
Nuk ka kërkesa të veçanta, por arsimimi ose formimi në këtë sektor është i nevojshëm.
Kualifikimet e nevojshme profesionale
Kualifikime profesionale në nivelin IV të KSHK-së. Arsimim në një shkollë të mesme bujqësore ose në një universitet bujqësor. Kurse formimi afatshkurtra, të cilat zakonisht janë për përditësime për tema të caktuara dhe risi të sektorit.
Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat Profesionale Bujqësore
Universiteti Bujqësor i Tiranës
Universiteti “Fan Noli” në Korçë
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Bashkë me prirjen për rritje të sektorit bujqësor, edhe kërkesa për këtë profesion është në rritje.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës pranë një personi me përvojë. Me kualifikime mund të arrihet në pozicione si drejtues ndërmarrjeje bujqësore.
Profesionistë të suksesshëm zgjedhin edhe të krijojnë sipërmarrjet e tyre, vetëm ose me ortakëri.
Adresa të dobishme
www.bujqesia.gov.al; www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.ubt.edu.al; www.kash.org.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al