Rrobaqepës
Kodi Shqiptar i Profesionit
7531
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Punonjës të tekstileve, të lëkurës, veshjeve dhe të ngjashme me to (ISCO 753)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Konfeksionimi i veshjeve (NACE 14)
Fjalë Kyçe
Veshje, rroba
Përshkrim i përgjithshëm
Rrobaqepësi është figura profesionale që ndërhyn në të gjitha fazat e punës së nevojshme për realizimin e një veshjeje. Veprimtaria e tij përfshin ndihmën ndaj klientit për zgjedhjen e modelit dhe materialeve, stilimin e modelit dhe prerjen e copës, provat e matjes dhe modifikimet e nevojshme, qepjen dhe hekurosjen. Në praktikë shpesh mund të dallojmë rrobaqepësit për gratë dhe rrobaqepësit për burrat. Pavarësisht teknologjive të reja, puna e rrobaqepësit është e një rëndësie të tillë që e bën atë të pazëvendësueshëm, veçanërisht në ndërmarrjet e vogla, ku figura e rrobaqepësit të parë është thelbësore në krijimin dhe modifikimin e prototipit të parë, dhe ku përqendrohen dhe funksione të tjera, të cilat në ndërmarrjet e mëdha janë të ndara dhe të dallueshme (krijuesi modeleve, koordinatori i prototipit, koordinatori i mostrës, kontrolli i cilësisë). Veprimtaria e rrobaqepësit mund të kryhet edhe në vende të posaçme për riparime të vogla, duke ndërhyrë në qepjen dhe riparimin e veshjeve, perdeve, aksesorëve dhe të tjera.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Rrobaqepësi duhet të jetë në gjendje të realizojë një model veshjeje dhe këtu përfshihen këto veprimtari: zgjedh copën, ngjyrën, cilësinë, karakteristikat dhe çmimin, bashkëpunon me klientin për të përcaktuar karakteristikat e veshjes, shndërron idetë stilistike në linja për zhvillimin e modeleve të veshjeve, kupton karakteristikat specifike dhe funksionale të modelit, parashikon karakteristikat e përshtatjes së veshjes sipas individëve, identifikon formën, raportet dhe masat, merr masat e klientit, identifikon detajet në lidhje me strukturën dhe formën, personalizon modelin sipas klientit, bëjë një skicë, në letër ose me ndihmën e një aplikacioni kompjuterik, me matjet dhe raportet sipas teknikave të modelimit. Rrobaqepësi duhet të jetë në gjendje të krijojë rroba të bëra sipas masës ose në seri të kufizuara dhe këtu përfshihen këto veprimtari: zgjedh dhe bashkon pjesët që formojnë një veshje në bazë të modelit, bën qepjen e veshjeve ose të aksesorëve, bën provat e veshjeve klientëve, kontrollon përshtatshmërinë e veshjes të klientit, bën ndryshimet në bazë të modelit ose kërkesave të klientit, kryen qepjen e veshjeve ose aksesorëve (me dorë ose me makinë qepëse), vendos aksesorët shtesë (kopsat etj.), hekuros veshjet. Rrobaqepësi duhet të jetë në gjendje të bëjë prerjen e copave dhe këtu përfshihen këto veprimtari: përgatit modelet prej letre, përgatit copën për prerje (ildisjen, cikatjen me shkumës), pret copa të ndryshme. Rrobaqepësi duhet të jetë në gjendje të bëjë riparimin e veshjeve dhe këtu përfshihen këto veprimtari: bën vlerësimin e veshjes ose aksesorëve, përcakton riparimin që do të bëhet, kërkon dhe/ose ble lëndët e para, qep veshjet (me dorë ose me makinë qepëse).
Njohuritë e nevojshme
Aksesorët e veshjeve, elementë të anatomisë së njeriut, elementë të gjeometrisë, elementë të produkteve të tekstilit, elementë të produkteve të tekstilit, makinat qepëse, materiale dhe aksesorë për riparime, rregulloren për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së në punë, parametrat e vlerësimit të cilësisë së copave, proceset e punës së rrobaqepësisë, procesin e projektimit dhe zhvillimit të produktit në sektorin e veshjeve, produkte të industrisë së modës, historinë e modës, teknikat e qepjes, teknikat e qepjes së materialeve tekstile, teknikat e përpunimit të pëlhurave, teknikat e riparimit të pëlhurave, teknikat e prerjes së materialeve të tekstilit, teknologjitë dhe proceset e punës me veshjet, pëlhurat, pëlhurat delikate.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë kriteret e vlerësimit estetik të produktit. Të zbatojë kriteret e kontrollit të cilësisë të pëlhurave. Të zbatojë metodat për vlerësimin përshtatshmërisë së veshjes. Të zbatojë procedurat për tarimin e makinave të qepjes. Të dijë procedurat për të riparuar anomalitë e makinave qepëse. Të zbatojë procedurat e sigurisë. Të zbatojë teknikat e harmonisë së ngjyrave. Të zbatojë teknikat e krijimit dhe zhvillimit të modeleve në modë. Të zbatojë teknikat e krijimit mbi manekin. Të zbatojë teknikat e dizenjimit në plan dhe në vëllim. Të zbatojë teknikat e modelimit dhe të masave për veshjet. Të zbatojë teknikat e zgjedhjes së pëlhurave, materialeve prej lëkure dhe aksesorëve. Të zbatojë teknikat e qepjes me makinë. Të zbatojë teknikat e qepjes me dorë. Të njohë dhe zbatojë teknikat e provës së veshjeve. Të njohë teknikat e hekurosjes. Të zbatojë teknikat e prerjes me makinë. Të zbatojë dhe të njohë teknikat e prerjes me dorë. Të njohë teknikat e qëndisjes. Të zbatojë teknikat e riparimit me dorë. Të zbatojë teknikat e riparimit të copave me makinë. Të përdorë makina dhe mjete për qepje. Të përdorë produkte për riparimin e copave. Të përdorë mjetet për riparimin e veshjeve. Të përdorë arkivat e koleksioneve të modës Të përdorë programe kompjuterike për modelim. Të përdorë pajisje mbrojtëse personale.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Rrobaqepësi punon kryesisht në rrobaqepësi me punëtorinë e vet. Rrobaqepësi i pavarur nuk varet nga figura të tjera dhe bashkëpunon ngushtë me klientët. Në rastet kur është i punësuar, ai i përgjigjet rrobaqepësit përgjegjës. Punishtja artizanale mund të funksionojë në nivele të ndryshme: nga projektimi dhe krijimi i rrobave të bëra me porosi deri tek riparimet e vogla. Rrobaqepësi mund të kryejë veprimtarinë e tij si punonjës i ndërmarrjeve në sektorin e veshjeve në nivel industrial. Zakonisht, në ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha gjithmonë ekziston figura e një "rrobaqepësi të parë" ose "première" për prototipin. Disa ndërmarrje të modës prodhojnë veshje "rrobaqepësie" në nivel industrial – megjithëse në sasi të vogla – përmes punës së dhjetëra rrobaqepësve, që bëjnë rroba të qepura me dorë. Në kryerjen e veprimtarive të tij, rrobaqepësi përdor makineri teknologjike të niveleve të ndryshme në varësi të llojit të veshjeve që duhen bërë, që duhen ndryshuar ose riparuar. Puna zhvillohet gjatë ditës ose me turne.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nuk ka kërkesa të posaçme. Nevojitet arsim bazë dhe mosha 16 vjeç.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin III të KSHK-së. Kurse të formimit profesional me kohëzgjatje disamujore nga ofrues të njohur nga Ministria e Punës, ose ndjekja e shkolla profesionale disavjeçare të specializuara për prodhim veshjesh dhe modë.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Ofrues të licencuar/akredituar
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Krijimi i përvojës është i rëndësishëm, prandaj fillimet në profesion mund të jenë nëpërmjet një praktike pune si ndihmës kolegëve me përvojë në rrobaqepësi artizanale ose në ndërmarrje më të mëdha. Duke marrë parasysh dijet e kërkuara për këtë profesion, është e nevojshme të ndiqet të paktën një kurs formimi profesional. Në këtë mënyrë mund të afirmoheni për punë më të kualifikuar.
Mundësitë për karrierë
Me kualifikime mund të arrihet në nivele të larta të rrobaqepësit deri në drejtues repartesh në ndërmarrje të prodhimit të veshjeve. Rrobaqepës të suksesshëm zgjedhin edhe të krijojnë bizneset e tyre vetëm ose me ortakëri.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.atu.org.al; www.ata.org.al; www.shum.al; www.profesionisti.al; www.karriera.al