Recepsionist
Kodi Shqiptar i Profesionit
4222
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Nëpunës të informimit për klientin (ISCO 422)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Akomodimi (NACE 55)
Fjalë Kyçe
Mikpritje, hotel, sportelist
Përshkrim i përgjithshëm
Recepsionisti siguron pritjen e klientëve nga momenti i mbërritjes së tyre, përgjatë gjithë qëndrimit e deri kur ata largohen. Ai informon klientët për të gjitha veprimtaritë e hotelit dhe të strukturës mikpritëse. Recepsionisti përfaqëson kontaktin e parë të klientit me hotelin. Ai kujdeset për procedurat e regjistrimit (check-in) dhe të largimit (check-out). Mban letërshkëmbimin e hotelit (informacionet në lidhje me caktimin e dhomave, rezervimet, tarifat) si dhe komunikimet në përgjithësi. Kështu që i duhet të përdorë çdo ditë kompjuterin, internetin, postën elektronike dhe telefonin. Kryen gjithashtu faturimin e shërbimeve dhe mbajtjen e pagesave.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Recepsionisti duhet të jetë në gjendje t’u ofrojë ndihmë klientëve gjatë qëndrimit të tyre në hotel dhe këtu përfshihen këto veprimtari: pret klientë individë ose grupe turistësh (vendas ose të huaj), kupton nivelin e kënaqësisë së klientit, interpreton nevojat e klientit, lidhet me agjencitë e promovimit të turizmit ose ente dhe organizma të tjerë vendorë, dorëzon çelësat e dhomave, tregon mjediset, rregulloren dhe funksionimin e hotelit, kryen rezervime dhe menaxhon komunikimin me klientët, siguron dhe përcjell informacione turistike për klientët dhe kryen, sipas kërkesës, rezervime biletash, vizitash ose ekskursionesh, identifikon zgjidhje të mundshme për menaxhimin e ankesave. Recepsionisti duhet të jetë në gjendje të kryejë procedura administrative dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kryerja e proceseve për regjistrimin (check-in) dhe çregjistrimin (check-out) e klientëve, mbledh rezervimet e klientëve (vendas e të huaj) duke përdorur mjetet e nevojshme, përditëson informacionin në lidhje me disponueshmërinë e dhomave përmes mjeteve përkatëse, menaxhon pagesat për qëndrimet dhe mban llogaritë ditore.
Njohuritë e nevojshme
Elementë të komunikimit ndërpersonal, njohuri kompjuterike, gjuhë të huaja (anglishtja me përparësi), njohuri për ofertat turistike vendore, mënyrat e organizimit të hotelit, parimet e kujdesit ndaj klientit, parimet e kënaqësisë së klientit, procedurat për arkivimin e të dhënave, teknikat e hotelerisë, teknikat e pritjes së klientit.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë procedurat për ruajtjen e sendeve me vlerë Të zbatojë procedurat për prenotimin e shërbimeve turistike Të zbatojë procedurat e shërbimit për zgjimin e klientëve Të zbatojë teknikat e pritjes së klientëve Të zbatojë teknikat e komunikimit efektiv Të përdorë materiale informuese për ofertat turistike Të zbatojë procedurat për regjistrimin e dokumentave kontabël Të zbatojë procedurat për menaxhimin e pagesave Të zbatojë procedurat standarde të regjistrimit dhe çregjistrimit të hotelit (check-in e check-out) Të zbatojë teknikat për planifikimin e rezervimeve të hotelit Të përdorë programe kompjuterike për menaxhimin e rezervimeve Të përdorë sisteme të lundrimit në internet Të përdorë programe për postën elektronike (Outlook ose të ngjashme) Të përdorë mjete në shërbim të veprimtarive të zyrës (skaner, printer, fotokopjuese)
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Recepsionisti punon në sallën e hyrjes së hoteleve. Veprimtaria zhvillohet në kontakt me klientelën, por duhet edhe të bashkërendojë me të gjithë strukturën, dhe në veçanti me përgjegjësin e shërbimeve të akomodimit dhe me drejtuesin dhe me sektorin administrativ. Mund të duhet të punojë gjatë festave, të shtunave, dhe/ose të dielën. Shpesh, puna është e lidhur me sezonin turistik. Në hotelet e vogla ose me menaxhim familjar, recepsionisti mund të jetë pronari ose menaxheri i të gjithë strukturës. Në hotelet e mesme ose të mëdha ai mund të jetë punonjës me kontratë me afat të caktuar ose pa afat.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nuk ka kërkesa të posaçme. Nevojitet arsim bazë dhe mosha 16 vjeç.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin III të KSHK-së. Kurse të formimit profesional me kohëzgjatje të paktën 2-mujore nga ofrues të njohur nga Ministria e Punës, ose ndjekja e shkolla profesionale më të gjata të specializuara për hoteleri dhe turizëm. Kryerja e disa praktikave në recepsion ndihmon shumë për të njohuritë e nevojshme për vende të tilla pune. Zotërimi i gjuhëve të huaja në nivel të rrjedhshëm komunikimi është avantazh i rëndësishëm.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat Profesionale të Hotelerisë dhe Turizmit. Ofrues të licencuar/akredituar.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Punësim gjendet në strukturat akomoduese qofshin këto hotele te vogla e të mesme, apo pjesë grupeve hoteliere. sektorin e bareve e restoranteve. Këto përfaqësojnë një komponent me rëndësi parësore për turizmin. Prandaj, kërkesa për këtë profesion është e lartë, sidomos për njerëz me përgatitje të gjerë dhe kompetencë profesionale.
Mundësitë për karrierë
Përvoja e fituar në pozicionin e recepsionistit krijon mundësi për t’u ngjitur në karrierë nga përgjegjës recepsioni e deri në drejtor hoteli.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.atu.org.al; www.ata.org.al; www.shum.al; www.profesionisti.al; www.karriera.al