Kuzhinier
Kodi Shqiptar i Profesionit
5120.07
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Kuzhinierë (ISCO 512)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Shërbime ushqimi dhe pije (NACE 56)
Fjalë Kyçe
Restorant, kuzhine, kuzhinier, ushqim
Përshkrim i përgjithshëm
Kuzhinieri vepron kryesisht në sektorin e restoranteve, merret me prodhimin e ushqimeve në restorante dhe ndërmarrje të shërbimit të ushqimit të llojeve dhe të niveleve të ndryshme. Përpunon menunë në bazë të klientelës, të stilit të restorantit apo të ndërmarrjes, dhe të parametrave të parapërcaktuar të kostos. Është përgjegjës për një fushë kompetence (pjatat e para, pjatat kryesore, pastiçeria). Në bashkëpunim me një ndihmëskuzhinier dhe një ekip personash në kuzhinë siguron përgatitjen e ushqimeve: organizon fazat e përgatitjes së ushqimit duke zbatuar teknika dhe rregulla për prodhimin kulinar, menaxhon blerjet e pajisjeve, mjeteve dhe lëndëve të para; garanton cilësinë e ushqimeve të përgatitura, trajnon dhe bashkërendon personelin e kuzhinës, mbikëqyr pastërtinë e mjediseve dhe pajisjeve.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
"Kuzhinieri duhet të jetë në gjendje të kryejë furnizimet për restorantin dhe këtu përfshihen këto veprimtari: vlerëson nevojat për furnizime, përcakton veçoritë dhe cilësitë e lëndëve të para, i ruan dhe i përgatit ato për përdorim sipas normave të sigurisë ushqimore HACCP, verifikon gjendjen e lëndëve të para të nevojshme për pjatat që duhen bërë, përgatit një listë sasiore dhe cilësore për blerjet, kontrollon produktet e mbërritura që të jenë brenda afateve të skadimit dhe që paketimi të jetë i padëmtuar.
Kuzhinieri duhet të jetë në gjendje të hartojë një menu dhe të përgatisë pjatat përkatëse dhe këtu përfshihen këto veprimtari: skicon menunë, përgatit receta tradicionale ose të veçanta (dietike, vegjetariane), zbaton teknikat e përgatitjes së pjatave të llojeve të ndryshme (kohët e gatimit, temperaturat dhe metodat e posaçme për çdo ushqim), përzgjedh mjetet e përshtatshme për prerjen dhe gatimin, përgatit antipastat e ngrohta e të ftohta, me bazë peshku, mishi dhe perimesh, dhe zbukurimet përkatëse e salcat etj., përgatit produktet e mishit e të peshkut për t’u gatuar sipas kërkesave, përgatit kontornot sipas pjatave, përgatit të ëmblat, kontrollon përgatitjen e bazave për realizimin e pjatave (salcat, lëngjet, supërat, brumërat), vendos në pjatë ushqimin dhe zbukurimet, trajton paraqitjen e produktit me estetikë.
Kuzhinieri duhet të jetë në gjendje të mbajë kushtet e higjienës dhe të sigurisë në mjediset e punës dhe këtu përfshihen këto veprimtari: ruan rregullin dhe higjienën në kuzhinë sipas normave të sigurisë ushqimore (kombëtare dhe HACCP), pastron pajimet mbas përdorimit."
Njohuritë e nevojshme
Elementë të kulinarisë, elementë të gastronomisë, elementë të shkencave të ushqimit, përbërës për zbukurimin e pjatave, tregu i restoranteve, merceologjia ushqimore, mënyrat e ruajtjes së ushqimeve, normat dhe standardet për analizën e rreziqeve dhe të pikave kritike të kontrollit (HACCP), organizimi i kuzhinës, procedurat e mirëmbajtjes së zakonshme të pajimeve dhe mjeteve mekanike, proceset e gatimit të ushqimeve, proceset e përgatitjes së pjatave, produktet e pastrimit, dezinfektimit dhe kundër brejtësve, receta të kulinarisë vendase dhe ndërkombëtare, mjetet për përgatitjen e ushqimeve.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
"Të zbatojë kritere për zgjedhjen e përbërësve
Të zbatojë kritere për përzgjedhjen e recetave
Të zbatojë kritere për vlerësimin e freskisë së produkteve ushqimore
Të zbatojë procedura për blerjen e materialeve për restorantin
Të zbatojë procedura për kontrollin e cilësisë së lëndëve të para ushqimore
Të zbatojë kritere për dozimin e përbërësve
Të zbatojë parimet e ushqyerjes
Të zbatojë teknikat e gatimit të ushqimeve
Të zbatojë teknikat e zbukurimeve të ushqimeve
Të zbatojë teknika të përgatitjes së brumërave
Të përdorë pajisjet për gatimin e ushqimeve
Të përdorë mjete për përgatitjen e ushqimeve
Të zbatojë norma dhe standarde për higjienën dhe sigurinë ushqimore
Të zbatojë parime të higjienës dhe sigurisë në vendin e punës
Të zbatojë procedurat e analizës së rreziqeve dhe të pikave kritike të kontrollit (HACCP)
Të zbatojë procedura për pastrimin e sanifikimin e makinerive dhe të pajisjeve për përpunimin e ushqimeve
Të zbatojë procedura për pastrimin e mekanizmave të pajisjeve elektro-mekanike
Të zbatojë teknika të mirëmbajtjes së furrave të llojeve të ndryshme për kuzhinë
Të zbatojë teknika të pastrimit të mjediseve
Të përdorë makineri për pastrimin e enëve"
Konteksti i ushtrimit të profesionit
"Puna e kuzhinierit kryhet në të gjitha ndërmarrjet, të cilat merren me prodhime kulinarie (restorante, piceri, restorantet e hoteleve, bare, bujtina, mensa, spitale, azile, kopshte e shkolla etj.). Puna kryhet individualisht ose në ekip (kuzhinier i parë, me detyra bashkërendimi dhe komandimi, kuzhinier i dytë e kështu me rradhë). Puna përfshin qëndrime të zgjatura në këmbë dhe ekspozim ndaj të nxehtit ose të ftohtit. Mjetet e përdorura janë shpesh të përmasave të mëdhaja dhe të rënda për t’u mbajtur e manovruar.
Kuzhinieri angazhohet në kuadrin e marrëdhënies kontraktuale me punëdhënësin, që mund të jetë sezonale ose e vazhdueshme. Oraret e punës zbatohen në varësi të funksionimit të ndërmarrjes dhe në përputhje me Kodin e Punës."
Kërkesat për hyrje në profesion
Nuk ka kërkesa të posaçme. Nevojitet arsim bazë dhe mosha 16 vjeç.
Kualifikimet e nevojshme profesionale
"Kualifikime profesionale në nivelin IV të KSHK-së. Kurse të formimit profesional me kohëzgjatje të paktën 1-vjeçare nga ofrues të njohur nga Ministria e Punës, ose ndjekja e shkolla profesionale disavjeçare të specializuara për hoteleri dhe turizëm. "
Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
"Shkollat Profesionale të Hotelerisë dhe Turizmit
Ofrues të licencuar/akredituar "
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Punësim gjendet në sektorin e restoranteve. Tregu i restoranteve përfaqëson një komponent me rëndësi parësore për turizmin. Prandaj, kërkesa për këtë profesion është e lartë, sidomos për njerëz me përgatitje të gjerë dhe kompetencë profesionale.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës në kuzhinë. Me kualifikime mund të arrihet në nivele të larta të kuzhinierit deri në shef kuzhine. Kuzhinierë të suksesshëm zgjedhin edhe të krijojnë bizneset e tyre të restorantit vetëm ose me ortakëri.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.atu.org.al; www.ata.org.al; www.shum.al; www.profesionisti.al; www.karriera.al