Konstruktor i strukturave metalike
Kodi Shqiptar i Profesionit
7214.14
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Fonditorë, saldatorë, punëtorë llamarine, përgatitës të konstruksioneve metalike, etj (ISCO 721)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Prodhimi i produkteve metalikë të fabrikuar, përveç makinerive dhe pajisjeve (NACE 25)
Fjalë Kyçe
Mekanikë, përpunim metali, prodhime metalike, struktura metalike
Përshkrim i përgjithshëm
Konstruktori i strukturave metalike realizon konstruksione metalike bazuar në dokumentacionin teknik, përmes teknikave të posaçme të përpunimit, duke përdorur makineri, pajisje dhe mjete të prerjes, formësimit, saldimit dhe rifiniturës. Fillimisht kryen punimin e pjesëve metalike: prerjen, formësimin, saldimin dhe më pas i bashkon ato duke krijuar strukturën e kërkuar. Struktura metalike mund të jetë me përmasa të mesme dhe të mëdha dhe të ketë përdorime të ndryshme (p.sh. platforma në të cilat montohen mjetet e makinerive ose rezervuarë për ruajtjen e produkteve ushqimore).
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Konstruktori i strukturave metalike duhet të jetë në gjendje të realizojë pjesët metalike bazuar në dokumentacionin teknik të dhënë dhe këtu përfshihen këto veprimtari: lexon specifikimet e përpunimit dhe dosjet përkatëse teknike; identifikon makineritë, pajisjet dhe mjetet që do të përdoren në fazat e ndryshme të përpunimit dhe rregullimeve përkatëse; dallon karakteristikat kryesore të materialeve metalike që duhen prerë; mat dhe pret pjesët, p.sh. pllaka dhe shufra metalike duke përdorur pajisjet përkatëse; kryen shpime të metaleve, përfshirë edhe zgjerimin e diametrit të shpimeve nëse është e nevojshme; zgjedh makineritë dhe mjetet e përpunimit për dhënien e formës dhe saldimin e materialeve metalike sipas vetive dhe karakteristikave të tyre; zgjedh radhën më të përshtatshme të përthyerjes bazuar në formën përfundimtare të pjesës metalike; kryen përthyerjen; kryen me kujdes kontrollet e matjes dhe të këndit; kryen mirëmbajtjen dhe kontrollin e mjeteve, të pajisjeve dhe të makinerive të përdorura; regjistron të dhënat teknike mbi punën e kryer. Konstruktori i strukturave metalike duhet të jetë në gjendje të bashkojë pjesët metalike për të krijuar strukturën e kërkuar dhe këtu përfshihen këto veprimtari: lexon dhe interpreton dokumentacionin teknik të përgatitur; zgjedh dhe zbaton mjetet dhe metodat më të përshtatshme për të kryer saldimin; pastron dhe përgatit, me ndihmën e mjeteve dhe pajisjeve, sipërfaqet që duhen salduar; ndërton, sipas nevojës, forma për të vendosur dhe fiksuar pjesët që do të saldohen (shabllone); pozicionon dhe fikson pjesët; kryen saldimin dhe trajtimet e mëpasshme, të tilla si lëmimi dhe eliminimi i brazdave dhe verifikon aftësinë mbajtëse të saldimit, duke kontrolluar me kujdes punën; përdor makineritë dhe pajisjet e nevojshme për montimin e pjesëve metalike sipas karakteristikave të tyre teknike, funksionale dhe estetike, në përputhje me procedurat e sigurisë; vlerëson produktet e përfunduara duke vënë në dukje çdo anomali dhe defekt; regjistron të dhënat teknike të punës së kryer.
Njohuritë e nevojshme
Karakteristikat teknike dhe materialet metalike, vizatimi mekanik, elementë të metalurgjisë, makineritë për përpunimin e hekurit, mekanika, normativat për cilësinë e saldimit, normativat për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë, procedurat e kontrollit të cilësisë, procedurat të mirëmbajtjes së rregullt të mjeteve dhe pajisjeve mekanike, proceset e përpunimit mekanik, instrumentet e matjes mekanike, instrumentet dhe pajisjet për instalimet mekanike, mjetet për saldim, teknikat e përpunimit të metalit, teknikat e montimit të pjesëve metalike, teknikat e saldimit të metaleve, teknikat e prerjes së metaleve, teknologjia e materialeve të saldueshme.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë procedurat e mirëmbajtjes së impianteve dhe makinerive. Të zbatojë procedurat e sigurisë gjatë prodhimit. Të zbatojë procedurat e tarimit të makinerive. Të zbatojë procedurat e kontrollit të konformitetit të elementëve metalikë. Të zbatojë procedurat e kontrollit të cilësisë së saldimit. Të zbatojë teknikat e planifikimit të veprimtarive. Të zbatojë teknikat e punimit të metaleve. Të zbatojë teknikat e gjurmimit të metalit. Të zbatojë teknikat e shpimit të metaleve. Të zbatojë teknikat e montimit të strukturave metalike. Të zbatojë teknikat e saldimit të metaleve dhe aliazheve. Të përdorë pajisje të metrologjisë mekanike. Të përdorë makinerinë për përthyerjen. Të përdorë makinerinë shpuese. Të përdorë makineritë për prerjen e metaleve. Të përdorë mjetet dhe teknikat për matjen e standardeve të cilësisë. Të përdorë procedurat e kontrollit të qëndrueshmërisë së materialeve të salduara. Të përdorë instrumentet për saldim: saldatriçe me fije, elektrike ose me hark, TIG, lazer, plazëm, oksicetilen. Të përdorë mjetet për montimin mekanik Të përdorë pajisje për mbrojtjen personale.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Konstruktori i strukturave metalike mund të punojë në ndërmarrje të vogla dhe të mesme në sektorin mekanik. Mund të jetë në marrëdhënie punësimi si i brendshëm dhe normalisht i raporton përgjegjësit të ekipit ose menaxherit të njësisë. Veprimtaria zhvillohet në ofiçinë ose në kantier, zakonisht me orar me një turn gjatë ditës.

Kërkesat për hyrje në profesion

Nevojitet arsim bazë dhe një formim i specializuar në përpunim metali. Në varësi të vendit të punës mund të kërkohen dëshmi të tjera të tjera të kualifikimit profesional.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin III të KSHK-së. Diploma të arsimit profesional ose kurse të formimit profesional.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat Profesionale të Mekanikës Ofrues formimi të licencuar/akredituar
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e lartë, sidomos për njerëz me kompetencë profesionale të dëshmuar.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës montator. Me kualifikime mund të arrihet në nivele të larta të saldatorit dhe në pozicione si drejtues reparti apo kantieri. Saldatore të suksesshëm zgjedhin edhe të punojnë me porosi e projekte e të mos jenë në punësim të vazhdueshëm.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al