Teknik i inxhinierisë mekanike
Kodi Shqiptar i Profesionit
3115
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Teknikë të shkencës së fizikës dhe inxhinierisë (ISCO 311)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Prodhimi i produkteve metalikë të fabrikuar, përveç makinerive dhe pajisjeve (NACE 25)
Fjalë Kyçe
Mekanikë, përpunim metali, prodhime metalike
Përshkrim i përgjithshëm
Tekniku i prodhimit mekanik në procesin e prodhimit në sektorin e metalmekanikës industrializon prodhimin në përputhje me standardet e kërkuara të cilësisë; optimizon burimet dhe mjetet e prodhimit mbi parimin e zvogëlimit të kostove; përcakton kohën e përpunimit të një produkti, duke identifikuar metodën për ta realizuar; bashkëpunon për hartimin e planimetrive të reparteve ose linjave të prodhimit me qëllim që të lejojë një rrjedhë optimale të përpunimit me objektivin për të zvogëluar kohën e ciklit të produktit.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Tekniku i prodhimit mekanik duhet të jetë në gjendje të kryejë konfigurimin e ciklit të përpunimit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: lexon dhe analizon vizatimet mekanike dhe dokumentet e projektimit, identifikon veprimtaritë individuale të përpunimit dhe kohët përkatëse duke vlerësuar ekuilibrimin midis fazave të ndryshme të prodhimit, përshkruan ciklin e përpunimit të pjesës mekanike duke identifikuar veprimtaritë, mjetet dhe makineritë e nevojshme për përpunimin, bashkë me teknikun e cilësisë dhe/ose operatorin mendojnë për një metodë të përpunimit që garanton cilësinë e kërkuar dhe optimizon burimet, planifikon përshkrimin dhe skemën e vendit të punës, fluksin e materialeve hyrëse dhe dalëse dhe përdorimin e mjeteve dhe ekonominë e zhvendosjeve, kontrollon ergonominë e hyrjes së materialeve dhe pozicionimit, siguron mjetet, sistemet dhe makineritë në ndihmë të ndërtimit të produktit, kontrollon pajtueshmërinë me rregulloret e sigurisë në punë, organizon ciklet e përpunimit (fazat, veprimtaritë dhe çfarë pason), specifikon kohët e përpunimit të fazave individuale të prodhimit.
Tekniku i prodhimit mekanik duhet të jetë në gjendje të analizojë kohën/kostot e përpunimit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: mbasi ka identifikuar metodën dhe vendin e punës, përcakton kohët e përpunimit sipas teknikave më të përshtatshme, programon kohën e parashikuar dhe kostot e prodhimit të produktit, bashkëpunon në përpunimin e kërkesave për burime, analizon hapësirën e punës dhe kushtet e sigurisë, përgatit raportin teknik në lidhje me organizimin e punës, përditëson bazat e të dhënave të ndërmarrjes.
Tekniku i prodhimit mekanik duhet të jetë në gjendje të kryejë konfigurimin e procesit të prodhimit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: organizon rrjedhën e përpunimit të një produkti duke ndërhyrë në furnizimin e materialeve, në organizimin e makinerive, sistemeve dhe vendeve të punës, duke projektuar ose modifikuar linjat e prodhimit, ndërhyn në fazat e përpunimit duke zvogëluar kohën që i duhet produktit për të kaluar nga lënda e parë në produktin përfundimtar, kupton dhe organizon proceset e mbështetjes së prodhimit, siç janë depot e lëndëve të para, aksesorët, logjistika etj., identifikon mjetet e makinerive nga tradicionalet tek ato të kompjuterizuarat (CNC), për llojet e ndryshme të përpunimit që do të kryhen, sugjeron automatizim në makineri dhe impiante për të rritur potencialin, përcakton mundësitë e procesit të prodhimit në funksion të produkteve që duhen prodhuar, teknologjive dhe cikleve të përpunimit, në përputhje me programet e prodhimit, identifikon elementët përcaktues strukturorë dhe të performancës së impiantit për optimizimin e procesit të prodhimit, harton dokumentacionin teknik në lidhje me standardizimin e procesit të prodhimit.
Njohuritë e nevojshme
Analiza e proceseve të ndërmarrjes, elementë të ergonomisë, elementë të planifikimit të prodhimit, elementë të teknologjisë dhe sistemeve të përpunimit, metodat e përfaqësimit të modeleve organizative, rregullat për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë, normativat kombëtare e ndërkombëtare (standardet SSH, EN, ISO), organizimi i punës, proceset e përpunimit mekanik, sistemet e automatizimit industrial, aplikacionet e inxhinierisë industriale, elementë të analizës organizative, teknika të kampionimit statistikor, teknika të inxhinierizimit të proceseve industriale, teknika të negocimit, teknika të mbledhjes së të dhënave, teknologjitë dhe sistemet e përpunimit, teoritë e organizimit.
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë teknikat e analizës së proceseve të ndërmarrjes.
Të zbatojë teknikat e analizës së kohës/metodave.
Të zbatojë teknikat e përcaktimit të planvendosjeve të impianteve.
Të zbatojë teknikat e optimizimit të procesit.
Të zbatojë teknikat e planifikimit të biznesit.
Të zbatojë teknikat e përfaqësimit të procesit.
Të zbatojë teknikat e analizës së kostos.
Të zbatojë teknikat e kampionimit statistikor.
Të zbatojë teknikat e përpunimit të kostos së prodhimit.
Të zbatojë teknikat e analizës kritike të procesit.
Të zbatojë teknikat e inxhinierizimit të proceseve industriale.
Të zbatojë teknikat e programimit logjistik.
Të përdorë aplikacionin e Inxhinierisë Industriale.
Të përdorë mjete të raportimit.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Tekniku i procesit mund të gjejë punësim në ndërmarrje të mesme dhe të mëdha në sektorin e përpunimit mekanik të metaleve apo edhe në sektorë të tjerë prodhues. Ai vepron brenda zyrës teknike dhe varet nga menaxheri i prodhimit, punon me menaxherët e funksioneve të tjera, me projektuesin dhe drejtuesin e kontabilitetit industrial. Në përgjithësi, ai punon si i punësuar i brendshëm dhe veprimtaria e tij zhvillohet gjatë ditës në zyrë dhe në departamentet e prodhimit.
Kërkesat për hyrje në profesion
Nuk ka kërkesa të veçanta.
Kualifikimet e nevojshme profesionale
Kualifikime profesionale në nivelin V të KSHK-së. Diplomë e shkollës së mesme teknike, ose arsim i lartë teknik, ose diplomë universitare 3-vjeçare.
Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat Profesionale të Mekanikës
Fakultetet e Mekanikës në universitete.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është më e lartë sesa numri i personave me këtë profil e me kompetencë profesionale të dëshmuar.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës i një profesionisti me përvojë. Me krijimin e përvojës dhe kualifikime mund të arrihet në pozicione si drejtues reparti apo drejtues prodhimi apo pozicione të tjera në zyrën teknike.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al