Teknik automjeti për shërbimet mekatronike
Kodi Shqiptar i Profesionit
7231.20
Fusha Profesionale
Sipas klasifikimit ISCO 2008
Montues dhe riparues të makinerive (ISCO 723)
Fusha Ekonomike
Sipas klasifikimit NACE Rev. 2
Tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i automjeteve dhe motorçikletave (NACE 45)
Fjalë Kyçe
Mekanikë, automekanikë, mekatronikë, riparim automjetesh
Përshkrim i përgjithshëm
Tekniku mekatronik është figurë qendrore profesionale në një servis për riparimin e automjeteve dhe zakonisht është përgjegjës për menaxhimin teknik të repartit. Ai është në gjendje të njohë nevojat e klientit, të diagnostikojë dhe të planifikojë ndërhyrjet e nevojshme dhe të punojë si në pjesën elektrike dhe elektronike ashtu edhe në atë mekanike të automjetit. Ai kryen si veprimtaritë mekanike-motorike ashtu dhe ato elektrike dhe elektronike. Kryen riparime dhe zëvendësime të pjesëve mekanike, elektrike dhe elektronike të automjetit. Ai gjithashtu kryen mirëmbajtje të përgjithshme të automjetit për ruajtjen e nivelit të sigurisë.
Veprimtaritë / Përgjegjësitë kryesore
Tekniku mekatronik duhet të jetë në gjendje të menaxhojë veprimtaritë e një ofiçine servisi automjetesh dhe riparimin në tërësi të automjetit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: organizon hapësirat brenda një ofiçine; zbaton procedurat që lidhen me sigurinë në vendin e punës; zbatojë legjislacionin për depozitimin e mbetjeve të rrezikshme; pret klientët; i shpjegon klientit problemet që lidhen me automjetin; informon klientin për kujdesin dhe funksionimin e saktë të automjetit. Tekniku mekatronik duhet të jetë në gjendje të kryejë diagnostikimin teknik dhe instrumental të pjesëve mekanike të automjetit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: interpreton informacionin e dhënë nga klienti për të përcaktuar shkaqet e mundshme të mosfunksionimit; kryen kontrollin mekanik të automjetit; kontrollon një për një përbërësit mekanikë për funksionimin e tyre; interpreton të dhënat pas kontrollit të automjetit; identifikon pajisjet mekanike të dëmtuara të një automjeti duke vlerësuar shkallën e dëmtimit (i lehtë/serioz); identifikon teknologjitë, mjetet dhe hapat vijues të nevojshëm për riparimin e automjetit; përcakton alternativat e mundshme për zëvendësim dhe/ose riparim; përcakton kohën, kostot dhe burimet për ndërhyrjen që i duhet automjetit; harton raportin dhe planin e strukturuar të riparimit. Tekniku mekatronik duhet të jetë në gjendje të kryejë mirëmbajtjen, riparimin dhe/ose zëvendësimin e pjesëve mekanike të automjetit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kërkon dhe gjen nga magazina pjesët e nevojshme për riparim dhe/ose zëvendësim; çmonton pjesën defektoze ose të dëmtuar dhe monton pjesën e re ose të riparuar; kur është e mundur, kryen riparimin e pjesës së dëmtuar ose defektoze me anë të pajisjeve dhe mjeteve të posaçme; bën çmontimin dhe montimin e motorit; kontrollon funksionimin e tij "me dëgjim" dhe me ndihmën e pajisjeve mekanike ose elektronike; kontrollon cilësinë e riparimit ose zëvendësimit të përbërësve të dëmtuar; përdor linjën e kontrollit teknik për testim, për kontrollimin e amortizimit, frenave dhe shmangiet e automjetit; dokumenton riparimin, zëvendësimin dhe inspektimin e kryer; dokumenton punën e kryer duke regjistruar të dhënat e nevojshme për deklarimin e konformitetit në dokumentacionin e kërkuar. Tekniku mekatronik duhet të jetë në gjendje të kryejë diagnostikimin teknik dhe instrumental të pajisjeve elektrike/elektronike të automjetit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: kryen teste diagnostikuese që lejojnë vlerësimin e funksionalitetit të sistemit; kryen matjet me ampermetër, voltmetër dhe oshiloskop; kontrollon efikasitetin e sistemit të ndezjes së makinës; kontrollon efikasitetin e sistemit të karikimit me dinamon (alternatorin); kontrollon kontaktet/lidhjet elektrike dhe përputhshmërinë e njësisë së kontrollit (centralina); kontrollon vazhdimësinë e kabllove/përdoruesve; kryen teste funksionale të qarkut elektrik; kryen teste të vazhdimësisë në kabllo dhe në qarkun elektrik në përgjithësi; bën leximin e parametrave teknikë, elektrikë dhe elektronikë pas kontrollit të automjetit; kupton anomalitë/defektet në sistemin elektrik/elektronik të automjetit; parashikon kohën, koston dhe burimet për ndërhyrje në pjesët elektrike/elektronike; harton raportin e të dhënave të punës së kryer. Tekniku mekatronik duhet të jetë në gjendje të kryejë mirëmbajtjen, riparimin dhe/ose zëvendësimin e pajisjeve elektrike/elektronike të automjetit dhe këtu përfshihen këto veprimtari: analizon të dhënat e raportit për cilësinë që tregojnë anomalitë; kryen matje të rezistencës, tensionit dhe rrymës së vazhduar me instrumentet kryesore matëse (multimetër, oshiloskop, testues të posaçëm); kryen kontrollin dhe riparimin e sistemeve të ndezjes dhe të injektimit duke përdorur instrumente automatike; kryen matjen dhe interpretimin e vlerave të sensorëve të automjetit duke konsultuar raportin e të dhënave; përcakton ndërhyrjet që do të kryhen dhe çdo pjesë rezervë që duhet të zëvendësohet; organizon materialet ose pjesët e nevojshme; kryen kontrollin e baterisë; rregullon sistemin e ndezjes; krijon qarqe elektrike dhe seri paralele të rezistencave; riparon ose zëvendëson gjeneratorët e energjisë, alternatorët, motorinot, pompat e ushqimit dhe rregullatorët e tensionit; përcakton zgjidhje mbrojtëse për komponentët elektrikë/elektronikë të zëvendësuar dhe/ose të riparuar; kontrollon cilësinë e riparimit ose zëvendësimit të pjesës së qarkut elektrik; dokumenton riparimin/zëvendësimin e kryer; harton dokumentin teknik të punimeve të kryera.
Njohuritë e nevojshme
Pajisjet për instalimin, mirëmbajtjen, riparimin e pajisjeve elektrike / elektronike të automjeteve, veglat dhe pajisjet mekanike, veglat dhe pajisjet për riparime mekanike, qarqet elektrike dhe elektromekanike, përbërësit elektronikë të automjeteve, mekanika, elementë të komunikimit, elementë të elektronikës, elementë të inxhinierisë elektrike, njohuri të hidraulikës, sistemi i kondicionimit të ajrit, sistemi i ndezjes dhe karikimit, sistemi i frenimit, sistemi i transmetimit, injeksioni elektronik, motorët me benzinë, motorët me naftë (diesel), normativat për riparimin e automjeteve, normativat për veprimtarinë në njësitë e shërbimit të riparimit të automjeteve, normativat për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në vendin e punës, normativat për depozitimin e mbetjeve të rrezikshme nga ofiçina, elementë të menaxhimit, parimet e punës të sistemeve EOBD, CANBUS, ABS, ESP, sistemet e ushqimit, sistemet e karburantit, sistemet e lubrifikimit, sistemet e ftohjes, sistemet e testimit, sistemet diagnostikuese për komponentët elektrikë/elektronikë, amortizatorët, instrumentet e matjes mekanike, instrumentet e kontrollit të sistemit elektrik, teknikat e testimit për përbërësit mekanikë, teknikat e përparuara të diagnostikimit të automjeteve, teknikat e instalimit të përbërësve mekanikë, teknikat e mirëmbajtjes së përbërësve mekanikë, teknikat e riparimit të përbërësve mekanikë, teknikat për instalimin e pajisjeve elektrike/elektronike në automjete, teknologjia mekanike, terminologjia teknike në gjuhë të huaj (kryesisht anglisht).
Aftësitë profesionale dhe cilësitë e nevojshme
Të zbatojë normativat për depozitimin e mbetjeve të rrezikshme të ofiçinës. Të zbatojë teknika të analizës kohë/metoda. Të zbatojë teknika të shërbimit ndaj klientit. Të zbatojë teknika të ndërveprimit me klientët. Të zbatojë teknika të planifikimit të veprimtarisë. Të zbatojë teknika të hartimit të preventivave të kostove. Të zbatojë teknikat e planifikimit për mirëmbajtjen, riparimin dhe/ose zëvendësimin e pjesëve mekanike të një automjeti. Të zbatojë teknikat për kontrollin dhe diagnostikimin e pjesëve mekanike të automjetit. Të përdorë procedurat për identifikimin e mjeteve dhe teknologjive të riparimit mekanik. Të zbatojë teknika të analizimit mospërputhjeve funksionale të përbërësve mekanikë. Të zbatojë teknikat e kolaudimit për përbërësit mekanikë. Të zbatojë teknikat e instalimit të përbërësve mekanikë. Të zbatojë teknikat e mirëmbajtjes për përbërësit mekanikë. Të zbatojë teknikat e riparimit për përbërësit mekanikë. Të zbatojë teknikat e zëvendësimit për përbërësit mekanikë. Të zbatojë teknikat dhe procedurat për verifikimin dhe kolaudimin përfundimtar të pjesëve mekanike të automjetit. Të përdorë mjete dhe pajisje të mekanikës. Të zbatojë procedurat për diagnostikimin e defekteve elektrike dhe elektronike. Të zbatojë teknikat e kontrollit funksional të sistemeve elektronike të automjeteve. Të zbatojë teknikat e interpretimit të të dhënave të marra nga kontrolli i automjetit. Të zbatojë teknikat e testimit të pajisjeve elektronike. Të përdorë mjetet e diagnostikimit të sistemeve elektronike të automjeteve. Të përdorë teknologji për të ndërhyrë në pajisjet elektrike/elektronike të automjetit. Të zbatojë metodat e vlerësimit të përputhshmërisë për sistemet elektrike dhe elektronike. Të zbatojë metodat e testimit të materialeve elektrike elektronike. Të zbatojë teknikat e mirëmbajtjes dhe riparimit për pajisjet dhe qarqet elektrike dhe elektronike. Të zbatojë teknikat e zëvendësimit për pajisjet dhe qarqet elektrike dhe elektronike. Të përdorë materiale për zëvendësimin, riparimin, mirëmbajtjen dhe instalimin e pajisjeve elektrike dhe elektronike dhe qarqeve. Të përdor mjete për zëvendësimin, riparimin, mirëmbajtjen dhe instalimin e pajisjeve dhe qarqeve elektrike dhe elektronike.
Konteksti i ushtrimit të profesionit
Tekniku mekatronik ushtron veprimtarinë në ofiçinat e riparimit, në qendrat e asistencës së shitësve të autorizuar, apo në njësitë e mirëmbajtjes së automjeteve në ndërmarrje private dhe apo ente publike. Si i punësuar, ai krijon raport pune me drejtuesin e biznesit dhe figura të tjera profesionale, si p.sh. me gomistin ose me profesionistë të tjerë teknikë. Puna zhvillohet në ofiçinë gjatë ditës ose me turne

Kërkesat për hyrje në profesion

Nevojitet arsim bazë dhe një formim i specializuar. Në varësi të vendit të punës mund të kërkohen dëshmi të posaçme të kualifikimit profesional për aspekte të veçanta.

Kualifikimet e nevojshme profesionale

Kualifikime profesionale në nivelin IV të KSHK-së. Diploma të arsimit të mesëm të specializuar. Kurse të formimit profesional.

Institucionet ofruese të kualifikimit profesional
Shkollat profesionale të mekanikës. Shkolla të larta teknike. Ofrues të licencuar/akredituar.
Perspektiva e profesionit / Vendet e punës të shpalluara
Kërkesa për këtë profesion është e vazhdueshme, sidomos për njerëz me kompetencë profesionale të dëshmuar.
Mundësitë për karrierë
Në këtë profesion mund të hysh si ndihmës. Me kualifikime dhe me përvojë pune mund të arrihet në nivele të larta të teknikut mekatronik dhe në pozicione si drejtues servisi. Disa zgjedhin edhe të punojnë në ofiçinat e tyre apo si të jashtëm e të mos jenë në punësim të vazhdueshëm.
Adresa të dobishme
www.arsimi.gov.al; www.puna.gov.al; www.njoftime.com; www.duapune.com; www.profesionisti.al; www.karriera.al